5 milionë euro për 5 ditë drita. Është kjo shuma me të cilën Furnizuesi i Tregut të Lirë bleu 19.4 gigavat-orë energji elektrike në ankandin e ditës së hënë. Së bashku me prodhimin nga hidrocentralet vendase, kjo energji do të përdoret për të mbuluar nevojat e konsumatorëve në vend, për periudhën 13-17 tetor.
Çmimi mesatar i arritur në ankand ishte 255.7 euro/MWh, një rekord i ri për vendin dhe një çmim disi më e lartë se ai i Bursës së Energjisë të Hungarisë, e cila përdoret për referencë nga ana e institucioneve vendase, ku çmimi për njësi ishte 228.26 euro.
Në garë shprehën interes 11 pjesëmarrës, ndërsa u pranuan ofertat nga 5 prej tyre, ku çmimet variuan nga 239.16 euro, në 270 euro për megavat. Kjo tregon se kriza e çmimeve të energjisë elektrike në Europë është ende e pranishme.
Këtë vit, për nevojat e vendit janë importuar rreth 105 milionë euro energji elektrike, pothuajse e gjitha pas qershorit, për shkak se në gjysmën e parë të vitit reshjet favorizuan prodhimin vendas, një pjesë e të cilit shkoi për eksport, por me thuajse 1/5 e çmimit që po blejmë sot.
Në vijim, sasia e energjisë që do të duhet të importohet është në varësi të kushteve të motit që do të përcaktojnë prodhimin vendas. Qeveria ka alokuar 100 milionë euro për OSHEE për sigurimin e nevojave të vendit për energji këtë vit dhe 100 milionë euro për vitin e ardhshëm, teksa rritja e çmimeve për biznesin e mesëm dhe atë të madh është një skenar gjithmonë e më i afërt. Kjo veçanërisht pas aplikimeve të OSSH dhe OST për rritje të tarifave të transmetimit dhe shpërndarjes.