Kolton Ndoj është 7-vjeçari shqiptar që ka rrëmbyer zemrat e italianëve me gjestin e bukur që ka bërë për fëmijët në nevojë. Prej disa kohësh, Koltoni kishte shprehur dëshirën që të ndihmonte fëmijët me më pak fat se si që dhe ata të kishin lodra për festa.
Ai donte që qëllimi i tij të mos mbetej vetëm në fjalë dhe dhuroi paratë e kursyera në derrkucin e tij në Kryqin e Kuq në Provincën e Comos. Nëna e tij, Jolanda, gjatë një interviste që dha për emisionin e mëngjesit në ABC, tha se ishte një gjest i veçantë për djalin e saj.
“Mendoja që të bëja djalin tim të lumtur dhe të kishte dhe dëshirën për të ndihmuar. Shkuam te Kryqi i Kuq por nuk e mendoja se do të bëhej kaq e madhe. Thjesht doja që ta prekte pjesën që të dorëzonte derrkucin dhe të merrte dëshirën për të ndihmuar dikë.
E vlerësuan gjestin e tij, më kontaktuan dhe e thirrën tre ditë më pas te asambleja e tyre, i dhanë një certifikatë nderi dhe një ambulancë të vogël për ta falenderuar. Ishin të gjithë vullnetarët dhe po duartrokisnin, ishte shumë i lumtur për këtë gjë.”, tha ajo