A u arrestua me urdhër të FBI-së kryemafiozi serb? Çfarë deklaron presidenti Vuçiç mbi operacionin që po trondit Beogradin

Arrestimi i bosit mafioz Belivuk më 4 shkurt të këtij viti dhe të 30 personave të tjerë u ndërmor pasi ishin të dyshuar dhe nën hetim për pesë vrasje të rënda, trafikim të armëve dhe të drogës, një marrje pengu dhe një dhunim seksual. Ky super operacion ka shkaktuar debate të forta politike në beograd

Kjo për faktin se Belivuk në dëshmitë e dhëna në prokurori ka zbuluar lidhjet e tij me politikën, duke prekur majën e shtetit serb, presidentin Aleksandar Vuçiç. Ai rrëfeu se kishte kryer disa shërbime për presidentin serb, në mënyrë indirekte, siç ishin shuarja e disa protestave të taksixhinjve, apo të mitingjeve antiqeveritare dhe lejimin e protestës së komunitetit LGBT pa incidente.

Belivuk u arrestua më 4 shkurt 2021 dhe më shumë arrestime vazhduan më vonë, në një rast që shokoi publikun serb. Kjo pasi zyrtarë të qeverisë filluan të publikonin fotografi të trupave të gjymtuar dhe viktima që dyshohet se u vranë nga ky grup i organizuar kriminal. Zyrtarët serbë e përshkruan këtë grup si një nga më të rrezikshmit dhe ekstremisht brutal.

Por si u bë i mundur arrestimi i këtij klani mafioz të rrezikshëm nëse kishte mbështetjen e politikës serbe? Në mediat serbe janë hedhur aludimet se ato janë kryer me kërkesë të FBI-së amerikane, e cila ka ndihmuar në kryerjen e operacioneve për arrestimin e këtyr grupeve.

Për këto arrestime ka folur vetë presidenti Vuçic. Sipas B92, presidenti ka mohuar që pas këtyre operacioneve qëndron FBI-ja.

Ai konfirmoi se kishte pasur një takim dhe kushte dëgjuar nga ish -ministri i Brendshëm, Nebojsha Stefanoviç, dy ditë më parë.

“Unë fola me Stefanoviçin dhe e pyeta se çfarë roli kishte FBI në rastin Belivuk. Ai tha se nuk kishte të bënte me rastin Belivuk, por kishte bashkëpunim të përgjithshëm,” tha Vuçiç.

Siç shpjegoi ai, aksioni i arrestimit dhe mbledhjes së provave u krye nga Ministria e Brendshme dhe BIA. “Fotografitë e para ishin fotot tona, dhe më vonë patëm ndihmën e shërbimeve të huaja simotra evropiane,” tha ai.

Sot, Ministri i Punëve të Brendshme, Aleksandar Vulin, mbajti një mbledhje me drejtuesit e Drejtorisë së Policisë Kriminale të Administratës së Policisë për Qytetin e Beogradit, dhe me atë rast, sipas B92, i ka përgëzuar të gjithë anëtarët e policisë së Beogradit për pjesëmarrjen në operacionin për goditjen e Belivukut dhe klanin kriminal Miljkoviç.

Ai theksoi se arrestimi i këtij grupi kriminal ishte ekskluzivisht rezultat i punës së autoriteteve prokurorie serbe, policisë, Agjencisë së Informacionit të Sigurisë dhe Zyrës së Prokurorit për Krim të Organizuar, dhe se as FBI as ndonjë palë tjetër nuk morën pjesë në goditjen e këtij grupi.

“Unë përgëzoj anëtarët serbë të policisë që shkatërruan klanin Belivuk-Miljkoviç. FBI nuk mori pjesë në shpërbërjen e kësaj bande dhe nuk do të lejoj që puna e policisë serbe të nënvlerësohet. Serbia me të drejtë ju është mirënjohëse”, tha ministri Vulin.

Në mbledhje morën pjesë edhe Shefi i Administratës Policore për Qytetin e Beogradit, Veselin Miliç, i cili gjithashtu falënderoi të gjithë anëtarët e policisë së Beogradit për guximin që treguan gjatë shpërbërjes së klanit Belivuk dhe Miljkoviç.