POLITIKE

Abdixhiku refuzon ftesën e Kurtit për takim: Fjalët kanë peshë – besë ndaj votuesve të LDK-së

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka refuzuar ftesën e kryeministrit në detyrë Albin Kurti, për takim konsultimi rreth formimit të institucioneve.

Ai ka thënë se “mes ‘hajvanatit’, ‘mbytjes së LDK-së’, ‘bashkëpunëtorëve të Serbisë’, mes moçalit të madh të pështymave ndaj nesh – unë, LDK dhe votuesit tanë – nuk e gjejmë veten as për konsultim”.

Abdixhiku ka thënë se besë do të ketë ndaj votueseve të LDK-së, sepse fjalët e thëna kanë peshë.

Postimi i plotë i Abdixhikut:

Të dashur qytetarë të Republikës,

Në politikë, si në jetë, fjalët kanë peshë. Ato janë pasqyrë e karakterit, e vlerave dhe e qëllimeve. Janë reflektim i momenteve që, kur përsëriten, bëhen bindje – shpesh edhe të pakapërcyeshme.

Për ne, në Lidhjen Demokratike të Kosovës, fjala është përgjegjësi. Është zotim. Është besë.

Prandaj, secili – veçanërisht ata me pushtet – duhet të jenë të përgjegjshëm për fjalët që thonë dhe për bindjet që mbjellin.

Për muaj, e në të vërtetë për vite të tëra – para, gjatë dhe pas fushatës – LDK, anëtarët tanë dhe votuesit tanë, kanë qenë subjekt i një gjuhe dhe mendësie që ofendon, përçan, etiketon dhe sulmon. Një mendësi që ka goditur thelbin njerëzor të politikës – respektin dhe dinjitetin. Dhe ka cenuar parimet themelore mbi të cilat ne kemi zgjedhur të bëjmë politikë.

Duket se fjalët e thëna e bindjet e ushqyera në vijimësi, nuk kanë peshë njëjtë për të gjithë. Sepse, pavarësisht të gjithë gjërave të thëna, të bëra e stërbëra, dje kam pranuar një letër nga Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, z. Kurti, për takim konsultativ mes nesh.

Sado që unë dhe LDK nuk udhëhiqemi nga inati; sado që ne besojmë në dialog, bashkëpunim e komunikim njerëzor e politik; një takim i tillë – madje edhe konsultativ – do të ishte kapërcim fatal i dinjitetit njerëzor dhe politik.

Mes ‘hajvanatit’, ‘mbytjes së LDK-së’, ‘bashkëpunëtorëve të Serbisë’, mes moçalit të madh të pështymave ndaj nesh – unë, LDK dhe votuesit tanë – nuk e gjejmë veten as për konsultim.

Sepse fjalët, si edhe bindjet, kanë peshë.

Fjalët e thëna ndaj nesh kanë peshë. Dhe fjalët tona – ato që u kemi dhënë qytetarëve tanë, atyre që nuk joshen nga spektakli i përçarjes por që besojnë se shteti ndërtohet me respekt e dinjitet – kanë peshën e fjalës së dhënë. Peshën e besës.

Besë do të ketë!

Le të jetë kjo përgjigje e qartë edhe për të tjerët që së fundi, duke marrë peshën që nuk u takon, kanë tentuar t’i tregojnë LDK-së se çfarë duhet të bëjë.

LDK – për ta kuptuar mirë – u qëndron besnike vendimeve, bindjeve dhe fjalëve të thëna para fushatës, gjatë fushatës dhe pas fushatës. Ndaj të gjithëve – njësoj.

Sepse fjalët kanë peshë!

LDK e pret dhe e mbështë konstituimin e Kuvendit më 15 prill. Nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë pengesë. Prandaj, le ta konstituojmë Kuvendin e Republikës.

LDK njeh të drejtën legjitime, demokratike dhe kushtetuese të partisë së parë për të marrë mandatin për qeverisje. Dhe në rast të dështimit të saj, njeh të drejtën e secilit për të ndërtuar shumicën. Qëndrimet tona janë të qarta.

I juaji,

Lumir Abdixhiku


FM IMAGES

FM IMAGES ALBANIA - Copyright © 2025 e-mail: info@fmimages.net. All Rights Reserved.

Recent Posts

  • FOTO&VIDEO

Shfaqet në Gjirin e Orikumit një nga gjitarët më të rallë në botë

Një pamje gjithnjë e më e zakonshme në ujërat e Gjirit të Orikumit është shfaqja…

47 minuta ago
  • BOTA

Vrasja e 18-vjeçarit Henry Nowak, Starmer akuza të forta për Elon Musk pas protestave: Ka nxitur përçarje

Kryeministri britanik Sir Keir Starmer ka akuzuar miliarderin e teknologjisë Elon Musk se po përpiqet…

11 orë ago
  • POLITIKE

Spaho: Vetëm një i leshtë mund të mendojë që kjo protestë nuk është e manipuluar, është komplot kundër vendit

Ish deputeti i PD, Edmond Spaho ka reaguar ashpër për protestën kundër investimit në Zvërnec,…

15 orë ago
  • POLITIKE

“Serbia si Rusia, ata si vendet baltike”, “Jeta e Vuçiç në rrezik”, ai shkon në Mal të zi: Do them gjithçka

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka konfirmuar se do të marrë pjesë në samitin BE–Ballkani Perëndimor…

15 orë ago
  • KRYESORE

Katy Perry, emri i parë i madh në “Sunny Hillin” e sivjetmë

Katy Perry do të jetë njëra prej këngëtareve kryesore që do të përformojë në Festivalin…

18 orë ago
  • FOTO&VIDEO

Vrau efektivin e “Shqiponjave”, autori me të shkuar kriminale, një vit më parë tërhoqi zvarrë me kalë një person

Një efektiv i Policisë së Shtetit u vra dhe një tjetër u plagos gjatë një…

22 orë ago