Ministri i Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se sot herët në mëngjes janë kthyer në Kosovë 39 qytetarë të ngujuar. Në mesin e të kthyerve është edhe ekipi Kombëtar i Boksit. Abdixhiku ka njoftuar se të gjithë këta do të vendosen në karantinë 14-ditore në Qendrën Studentore në Prishtinë.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Abdixhiku ka thënë se kthimi i qytetarëve të evidentuar nga ambasadat do të vazhdojë në mënyrë të kujdesshme dhe të organizuar. Ai ka thënë se zhvillimet e tjera s’janë brengë e tyre tani, duke aluduar kështu për zhvillimet politike në vend, përkatësisht mocionin e mobesimit të LDK-së për Qeverinë Kurti.
Ai ka bërë thirrje që qytetarët e ngujuar të vazhdojnë t’i kontaktojnë ambasadat.
“Kthimi i qytetarëve të evidentuar nga ambasadat tona jashtë, në mënyrë të kujdesshme, të organizuar e pa rrezik për qytetarët këtu – do të vazhdojë. Këtë punë do ta bëjmë dhe zhvillimet tjera s’janë brenga e jona tani”, ka shkruar Abdixhiku.