Afganët që shpëtuan nga sulmi terrorist jashtë aeroportit të Kabulit të enjten kanë përshkruar skenën e tmerrshme dhe grumbujt e trupave të viktimave në vendin e shpërthimit.
Muhamedi, i cili tha se ndihmoi forcat amerikane dhe punoi me NATO-n në Afganistan, ishte në aeroport me familjen e tij të enjten, duke u përpjekur të fliste me trupat amerikane dhe të gjente një fluturim jashtë vendit.
“Unë isha me familjen time duke qëndruar vetëm 50 hapa larg shpërthimit që ndodhi dje” tha ai për “CNN”. “Unë nuk mund t’ju përshkruaj situatën … ishte si një skenë nga një film që e pashë në realitet.
Kishte një lumë gjaku … nëse doje të bëje disa hapa, së pari duhet të kontrolloje për të parë nëse ka trupa të vdekur nën këmbët tuaja për të lëvizur” tha ai.
“U mbulova sytë vajzave të mia që të mos shihnin situatën, sepse ishte një situatë shumë e keqe. Pas kësaj, unë nxora familjen time jashtë dhe shkova në shtëpi” tha ai.
Sulmet kishin në shënjestër turmat që përpiqeshin të largoheshin nga Afganistani pas marrjes nën kontroll të talebanëve. Bombardimi, i pretenduar nga grupi terrorist “ISIS-K”, vrau më shumë se 170 njerëz. Trembëdhjetë trupa amerikanë gjithashtu humbën jetën në sulm.
Muhamedi tha se atij i janë dërguar mesazhe kërcënuese të shumta nga talebanët, duke e paralajmëruar se do të vritej nëse nuk punonte me ta. Por pavarësisht mizorisë, ai tha se do të kthehej në aeroportin e Kabulit me familjen e tij të Premten.
“Unë do përpiqem të shkoj në portat e aeroportit në mënyrë që të flas me (trupat e huaja) dhe të tregoj ID -në dhe letrat e mia për të thënë se kam punuar me ta” tha ai.