Lufta e nisur dje në mëngjes ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës nuk pritet të ketë ndikime të theksuara për furnizim me grurë dhe rritje të çmimit për këtë produkt ushqimor në Kosovë, pasi që vendi ynë nuk është importues i këtij produkti strategjik drejtpërdrejt nga këto dy vende.
Derisa Kosova aktualisht është e furnizuar me grurë vetëm edhe për dy muajt e ardhshëm, kryetari i Shoqatës së Mullisëve të Kosovës Bashkim Zejnullahu kërkon të mos krijohet panik në vend.
Zejnullahu ka kërkuar nga të gjithë përpunuesit e grurit në Kosovë që mos ta shfrytëzojnë këtë situatë në Ukrainë për ngritjen e çmimet të grurit dhe millet në vend.
“Nuk mendoj, (se do të ketë reflektime), sepse ne nuk jemi importues të grurit nga ato dy shtete. Kosova nuk importon grurë prej Ukrainës dhe Rusisë. Prandaj, nuk besoj se do të ketë reflektim drejtpërdrejt, por, mund të reflektojë në rast se këto vendet nga ne importojmë, Hungaria, Serbia dhe Bullgaria preken nga kjo situatë. Nëse rritet kërkesa në këto tri vende, atëherë sigurisht që kishte me pasur lëvizje të çmimeve. Unë sot personalisht kam aktivizuar blerjet dhe nuk ka lëvizje të çmimeve deri në këto momente. Pra sot nuk ka ngritje të çmimeve. Ka sasi të mjaftueshme, megjithëse edhe në vendet nga ne importojmë është krijuar një situatë turbulente (e paqartë)”, u shpreh ai.
Kreu i shoqatës, Zejnullahu duke treguar se për momentin nuk ka lëvizje të çmimeve në Kosovë, iu ka bërë thirrje të gjithë përpunuesve të grurit në Kosovës që mos ta shfrytëzojnë rastin e luftës në Rusi dhe Ukrainë për ngritjen e këtyre çmimeve.
“Nuk ka lëvizjes dhe nuk duhet të ketë lëvizje. Mendoj se kishte me qenë jo e drejtw nëse do tw shfrytëzonim një situatë të tillë për lëvizjen e çmimeve. Kështu do tw ishte e padrejtë”, pohon ai.
Sipas Zejnullahu, Shqipëria mund të goditet me mungesë ose rritje të çmimeve pasi që është importues i drejtpërdrejt nga tregjet e Rusisë dhe Ukrainës.
“Shqipëria është importues i drejtpërdrejt prej Rusisë dhe Ukrainës, atje mund të ketë një ndikim të drejtpërdrejt tek ta, por tek ne realisht nuk ka”, theksoi ai.
Derisa Zejnullahu theksoi se nuk ka informacione se sa janë rezervat e shtetit, shtoi se Kosova sot është e furnizuar me grurë vetëm edhe për dy muaj të ardhshëm.
“Në dy ministritë, e Tregtisë dhe ajo e Bujqësisë, si dhe tek kryeministri Kurti kemi bërë një kërkesë urgjente para dy javësh që të merren masa për këtë çështje si dhe për rezervat shtetërore, për të cilat ne nuk kemi shumë njohuri dhe të informuar se sa janë. Kështu qeveria nuk ka qenë e interesuar. Sa është e furnizuar aktualisht Kosova me grurë dhe miell? Në bazë të informatave që i kam, por duke u bazuar në të dhënat e përpunuesve më të mëdhenj, ne mund të kemi një sasi të grurit brenda vendit për dy muajt e ardhshëm”, thotë ai.
Sipas kreut të shoqatës, sot në Kosovë çmimet e grurit sillen prej 270 deri në 300 euro për ton, ndërsa ai miellit prej 400 deri 450 euro për ton. Ukraina dhe Rusia janë ndër furnizuesit më të mëdhenj të grurit në botë.
Në anën tjetër, ndikimi i luftës në tregjet globale, pritet të ndikojë te ngritja e çmimit për disa produkte. Lufta në Ukrainë mund të ketë pasoja serioze për ekonominë evropiane dhe atw botërore.
Furnizimet energjetike me gaz dhe naftë do të kapnin çmimet të larta, ndërsa do të përkeqësohej shumë pasiguria ushqimore, për shkak të furnizimit me grurë.
Teksa lufta ka nis mes këtyre dy shteteve, krahas kësaj ato që lëvizin janë edhe bursat ndërkombëtare. Analistët ekonomikë nëpër botë kanë parashikuar lëvizjen e bursave në rast të një lufte mes Ukrainës dhe Rusisë, ku sipas tyre do të ketë ndikim të menjëhershëm në çmimin e naftës dhe të gazit.
Tregjet financiare kanë qenë kryesisht të pa shqetësuara nga alarmet e luftës mes Ukrainës dhe Rusisë, por me krismën e parë ekonomistët dhe bankat qendrore do të rishohin normat e tyre të interesit.
Megjithatë kriza ka dhënë efektet e saj në rritjen e çmimit të naftës dhe të gazit, si edhe të metaleve kryesore që përdoren për prodhimin e makinave, pajisjet elektronike, enët e gatimit dhe ndërtimi. Në afat të shkurtër, një luftë Rusi-Ukrainë, qoftë edhe e kufizuar, do të nxiste një rritje të madhe të çmimeve të naftës dhe gazit, veçanërisht në Evropë.
Rusia sjell rreth 30 për qind të naftës së Evropës dhe 35 për qind të gazit të saj natyror në Evropë, që do të ndërpritej në rast konflikti.
Çmimi i naftës mund të shkojë mbi 125 dollarë për fuçi, ndërsa çmimet e gazit do të rriten edhe më shumë. Edhe skenari tjetër ku vendosen sanksione masive ndaj Rusisë ka ndikim të fortë te çmimet.
Nëse të gjitha vendet evropiane ndalojnë blerjen e gazit dhe naftës ruse, ndikimi në çmim do të ishte i madh, me rritjen e naftës në 175 dollarë për fuçi dhe gazi në 250 dollarë. Edhe çmimet e ushqimeve do të kishin rritje.