Ish-shefi i kabinetit të ish-ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës e ka cilësuar të pavërtetë arsyetimin e ministres së re të Jashtme dhe të Diasporës për gradimin e vëllait të ministrit të Shëndetësisë në ambasador.
MPJD-ja, tash e udhëhequr nga Meliza Haradinaj-Stublla, kishte thënë për KOHËN të mërkurën se Astrit Zemaj, vëllai i ministrit Armend Zemaj, kishte marrë rekomandimin për të shërbyer si përfaqësues i Kosovës për vendet e Bashkimit Evropian, gjatë kohës sa ministër i Jashtëm ishte Glauk Konjufca i Vetëvendosjes.
Megjithatë, Kreshnik Ahmeti, ish-shef i ish-kabinetit të Konjufcës, e ka cilësuar plotësisht të pavërtetë arsyetimin.
“Arsyetimi i Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, në lidhje me dërgimin e z. Zemaj në mision është plotësisht i pavërtetë. Në konkursin e brendshëm, të hapur për herë të parë nga Ministri Konjufca, nuk ka ekzistuar një pozicion siç përmendet në vendimin e saj për dërgimin e z. Zemaj në mision. Prandaj, as nuk ka pasur mundësi që Komisioni Profesional ta propozojë z. Zemaj apo dikë tjetër për ‘përfaqësues i Republikës së Kosovës për vendet e Bashkimit Evropian’, sepse një pozicion i tillë nuk ka ekzistuar. Për më tepër, edhe po të ekzistonte një pozicion i tillë, propozimi nuk do të mund të bëhej sepse z. Zemaj në atë periudhë nuk e ka pasur gradën e ambasadorit. Praktikën e vendimeve sekrete, Ministrja Haradinaj nuk mund ta mbulojë para publikut duke u thirrur në praktikat e drejta e transparente të Ministrit Konjufca. Ajo edhe përbrenda argumentit të saj të pavërtetë ka kundërthënie: në rast se po thirret në rekomandimet e Komisionit Profesional të krijuar nga Ministri Konjufca, pse nuk po vepron për të gjithë të rekomanduarit, por po vepron në mënyrë selektive? Nuk do të ishte befasi nëse kjo Ministre do ta arsyetojë edhe kthimin e “konsujve” të paligjshëm nëpër misione duke u thirrur në punën e drejtë të Ministrit Konjufca”, ka shkruar Ahmeti në një postim në Facebook.