Ka qenë një nga komunat e para dhe institucionet publike që ka vendosur masa restriktive për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, por tani sipas zyrtarëve të Komunës së Prishtinës, masat restriktive duhet të rishikohen.
Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, në faqen e tij në Facebook i ka kërkuar Ministrisë së Shëndetësisë që të rishqyrtojë disa prej masave të vendosura, për shkak se ato mund të sjellin pasoja të mëdha në ekonomi.
Sipas Ahmetit, me situatën aktuale duhet të hiqet kufizimi i lëvizjes dhe të nisë hapja e bizneseve gastronomike, raporton KTV.
Këtë kërkesë po e përkrahin edhe komunat e tjera.
Këtë e ka konfirmuar drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, duke thënë se këto masa kanë ndikuar në shumë komuna, shkaku i rënies së të hyrave nga bizneset.
Ai ka shtuar se komunat janë duke respektuar të gjitha rekomandimet e IKSHPK-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë, por përveç shëndetit të qytetarëve, duhet të mendohet edhe për mirëqenien e tyre ekonomike dhe sociale.
Për kërkesat e kryetarit të Prishtinës, zyrtarë nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë se është duke u bërë rivlerësimi për shumë veprimtari duke përfshirë edhe bizneset.
Derisa kanë shtuar se MSh-ja merr vendime duke u bazuar në rekomandimet e Institutit dhe se vendimmarrja në nivel qendror për pandeminë Covid-19 bëhet nga kjo ministri, në bashkëpunim edhe me institucionet dhe nivelet e tjera, duke përfshirë edhe komunat.