Ajas Sulejmani, i riu që aksidentoi çiftin Konomi dhe beben e tyre 3 muajshe, pritet të dalë sot para gjykatës së Tiranës, ku do njihet me masën e sigurisë arrest në burg.
Çështja po hetohet në prokurorinë e Tiranës, nga Elfrida Bregova, prokurorja e seksionit të të miturve.
Kalimi i dosjes hetimore në këtë seksion është kryer për shkak se dy nga të dëmtuarit e këtij aksidenti të rëndë, është foshnja 3 muajshe dhe një djalë i vogël që po kalonte në ato momente me biçikletë.
Nisur nga kjo situatë, drejtuesi i prokurorisë së Tiranës ka vendosur që dosja duhet të trajtohet nga prokurorë, që janë në shërbim pranë seksionit të të miturve.
Gjatë fazës hetimore Ajas Sulejmani, ka pranuar gjithçka duke shtuar se largimin nga vendi i aksidentit e ka kryer në kushtet e tronditjes së fortë të tij dhe vajzës së vogël që ndodhej në sediljen e parë të makinës.
Ndërkohë nga verifikimet e prokurorisë së Tiranës ka rezultuar se automjeti foristradë Benz-Mercedez, nuk duhet të ishte në qarkullim në rrugët e Shqipërisë, pasi i kishte përfunduar koha 6 mujore e tranzitit të qëndrimit në Shqipëri.
Kjo e dhënë ka dalë gjatë verifikimit të sistemit TIMS, ku makina rezulton të jetë futur nga pika e kalimit kufitar Kakavijë, në datën 20 korrik 2020. Hyrja në teritorin Shqiptar është bërë pikërisht nga autori i aksidentit në Tiranë, Ajas Sulejmani, i cili ka përdorur një prokurë të lëshuar nga një shtetas Gjerman.
Sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave me Nr.651 të datës 10 nëntor 2017, mjeti i transportit privat që është futur në Shqipëri nga Ajas Sulejmani, duhet të qëndronte vetëm 6 muaj në territorin Shqiptar.
Një e dhënë e tillë del në nenin 662 të kësaj VKM-jë, ku flitet për afatet e mbylljes së rregjimit të lejimit të përkohshëm për rastet e mjeteve të transporteve dhe kontinjerëve. Në pikën C, të këtij neni qartësohet se për përdorimin e mjeteve private të transportit rrugor, afati i lejimit të qarkullimit me dokumentacion dhe targa të huaja është vetëm 6 muaj.
Pas përfudimit të këtij afati, mjeti ose duhet të nënshtrohet procedurave të zhdoganimit dhe targimit ose në rast të kudërt duhet të bllokohet nga policia që në konstatimin e parë.
Në këtë rast, mjetit të futur në Shqipëri nga Ajaz Sulejmani, i kishin përfunduar të gjitha afatet ligjore të qarkullimit në Shqipëri, dhe se prej 1 viti e gjysëm ky mjet lëvizte në rrugët e Shqipërisë në mënyrë të paligjshme.
Gjatë kësaj kohe, Policia Rrugore, por edhe dogana e Kakavijës nuk ka përpiluar asnjë raport për situatën e kësaj makine, që qëndronte dhe përdorej në Shqipëri tej çdo afati të parashikuar në ligj.