Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë kundër pesë të pandehurve me inicialet A.Gj., E.S., N.S., M.B dhe Sh.K, për përgatitjen e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues.
Sipas njoftimit nga Prokuroria, A.Gj., E.S., N.S dh M.B., që nga marsi deri në tetor 2021, fillimisht kanë bërë përpjekje për të bërë një strukturë organizative për kryerjen e akteve terroriste në Kosovë, duke kontaktuar me një person me gradë të lartë të organizatës terroriste ISIS – Zyra për Marrëdhënie me jashtë, janë angazhuar për sigurimin e armatimit të llojeve të ndryshme. Ndërkaq, E.S dhe A.Gj., pa autorizim, kanë siguruar dhe mbajtur në kontroll duke fshehur dhe groposur në bure plastike e të izoluara mirë arsenal të armëve të zjarrta dhe municion të llojeve të ndryshme, thuhet në njoftim.
I pandehuri A.Gj., akuzohet për veprën penale “Moslajmërim i përgatitjes së veprave penale”, pasi ai nga muaji tetor 2020 e deri më 2 nëntor 2022 “ka qenë në dijeni se i pandehuri (tash i ndjeri) K.F, ishte duke përgatitur akte terroriste në Vjenë të Austrisë”.
I pandehuri N.S., akuzohet për veprën penale “Lehtësimi dhe financimi në kryerjen e terrorizmit” për shkak që më 7 tetor 2021, në magjistralen Prizren-Suharekë, në rrugën “Ukë Bytyqi” në mënyrë të drejtpërdrejtë ia ka dorëzuar shumën e të hollave prej dymijë euro të pandehurit Sh.K. në emër të blerjes së armëve të zjarrta.
I pandehuri M.B., akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” për shkak se në kohën e pavërtetuar më parë pa autorizim në shtëpinë e tij në Prizren ka siguruar dhe mbajtur në pronësi sasi të konsiderueshme – arsenal armësh të llojeve të ndryshme, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.
Ndërsa, i pandehuri Sh.K., akuzohet se ka kryer veprën penale “’Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse’ për shkak se më 10 tetor 2021 në kundërshtim të Ligjit të zbatueshëm në lidhje me armët apo materiet plasëse ka siguruar me qëllim të shtijës armët e zjarrta të llojeve të ndryshme, si dhe ka pranuar shumën e të hollave prej dymijë euro”.