Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorinë ka zhvilluar sot aksion në zyrat e një organizate joqeveritare e vendosur në një aneks të Stacionit Policor “Qendra në Prishtinë”, ku dyshohet se janë kryer veprimtari të jashtëligjshme. Aktiviteti i organizatës “Centar za Mir i Toleranciju Pristina”, sipas ministrit të Brendshëm “Xhelal Sveçla” paraqet rrezik për sigurinë e vendit.
Bastisja që zgjati për disa orë nisi në orët e pasdites dhe aty qëndruan hetues policorë bashkë me Prokurorin e Shtetit. Nga Prokuroria Themelore në Prishtinë e konfirmuan operacionin policor dhe u bë e ditur se në objektin e bastisur dyshohet se janë duke u ofruar shërbime të kundërligjshme mjekësore.
Pas aksionit u deklarua edhe Sveçla, i cili tha se organizata e bastisur nuk e ka respektuar legjislacionin në fuqi mbi funksionimin e OJQ-ve dhe veprimtaria e tyre është tejet e dyshimtë.
“Kësisoj, kemi njoftuar institucionet përkatëse të sigurisë dhe është konfirmuar se e njëjta ka veprimtari ilegale gjë e cila është vërtetuar pas hyrjes së Policisë dhe Prokurorisë brenda objektit. Një veprimtari e tillë në mes të tre institucioneve më të larta të sigurisë së Kosovës, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Kryeprokurorisë dhe Policisë së Kosovës është tejet e dyshimtë dhe paraqet rrezik për sigurinë e vendit.” – shkroi Sveçla.
Çfarë është “Centar za Mir i Toleranciju Pristina” dhe kush qëndron pas saj?
Centar za Mir i Toleranciju Pristina, apo në shqip Qendra për Paqe dhe Tolerancë, është një organizatë joqeveritare e themeluar në vitin 2002 nga tre persona Sasa Ilic Srdan Popovic, Zorica Obradovic,
Sipas ueb faqes, prej vitit 1999, në zyrën e kësaj organizate në Prishtinë, e cila është vënë në dispozicion të komuniteteve pakicë në qytet, është vendosur një qendër për komunitete dhe se “Qendra përdoret nga qytetarët e Prishtinës nga komuniteti serb si një lloj qendre për ofrimin e shërbimeve bazë mjekësore”.
Organizata e cila dyshohet se ka ofruar shërbime të kundërligjshme mjekësore në këtë objekt, ka prezantuar një qëllim tjetër në Sistemin Elektronik të Organizatave Joqeveritare.
Aty thuhet se organizata në fjalë ka për qëllim përmirësimin e jetës shoqërore në Prishtinë dhe në pjesët tjera të Kosovës, si dhe përmirësimin e kushteve të jetesës në aspektin social dhe përmirësimin e ekonomisë përmes ndërmarrjeve të vogla.