Me propozimin dhe zgjedhjen e Glauk Konjufcës kryetar të Kuvendit të Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje i ka dhënë dritë të gjelbër shkuarjes në zgjedhje të reja pas afatit kushtetues për formimin e qeverisë.
Me votimin e kryeparlamentarit Konjufca dhe prishjes zyrtare të marrëveshjes për ndarjen e përgjegjësive ndërmjet LVV-së dhe LDK-së, Kuvendi i Kosovës do të shpërbëhej nëse nuk arrihet formimi i qeverisë së re në një afat prej 60 ditësh.
“[Shpërndarja e Kuvendit] 1. Kuvendi shpërndahet në këto raste: (1) nëse brenda afatit prej gjashtëdhjetë (60) ditësh nga dita e caktimit të mandatarit nga Presidenti i Republikës së Kosovës, nuk mund të formohet Qeveria; (2) nëse për shpërndarjen e Kuvendit votojnë dy të tretat (2/3) e të gjithë deputetëve, shpërndarja bëhet me dekret të Presidentit të Republikës së Kosovës;”, thuhet në nenin 82 të Kushtetutës së Kosovës.
Ndërkaq, sipas nenit 95 të Kushtetutës së Kosovës, pika 2, “Kandidati për Kryeministër, jo më vonë se pesëmbëdhjetë (15) ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e Qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit.”
Me shpërbërjen e Kuvendit, vendi do të shkonte sërish në zgjedhje të jashtëzakonshme.