Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka reaguar në drejtim të presidentit Hashim Thaçi si dhe kundërshtarëve të tij politik të cilët janë deklaruar së fundi lidhur me zhvillimet në vend.
Kurti tha se regjimi i vjetër po “shpurdh” nëpër studiot televizive dhe se po orvaten të rikthehen, përmes trysnisë mbi gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, transmeton Indeksonline.
Madje ai tha se sa herë që e godasin korrupsionin, ata pikasin ‘Amelika, Amelika’.
Kurti deklaroi se një popull nuk iu nënshtrua një populli dhe e bëri ndryshimin me 6 tetor.
Postimi i plotë:
Regjimi i vjetër po shpurdh nëpër studiot televizive. Ata refuzojnë ta kuptojnë se koha e tyre ka mbaruar. Po orvaten të rikthehen, përmes trysnisë mbi gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese.
Sa herë që ne ua godasim korrupsionin, ata piskasin “Amelika, Amelika! Gleneli, Gleneli!”. Duan ta dëmtojnë imazhin e ShBA-ve në Kosovë, ta keqpërdorin atë si strehë për ultësinë e tyre.
Një popull nuk iu nënshtrua një njeriu. Dhe, e bëri ndryshimin me 6 tetor. As qeveria në detyrë nuk i nënshtrohet këtij Presidenti helaq.
Ditët në vijim përcaktojnë dekadën e tretë të shekullit XXI. Në cilën anë je ti?