Qeveria e Kosovës sot ka hequr rrethojat rreth objektit të kryeministrisë, dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në një intervistë të shkurtër për Euronews Albania, ka thënë se kjo ka qenë ide e kryeministrit Kurti, që qytetetarët të mos kenë pengesa t’i qasen institucioneve.
Haxhiu duke folur për këtë temë, tha se edhe në ministrinë që ajo drejton nuk ka asnjë rrethojë, dhe prandaj kanë vendosur që këtë logjikë ta instalojnë edhe për institucionet tjera.
“Në fakt kjo ka qenë një ide e kryeministrit Kurti që institucionet e Kosovës të jenë pa pengesa për qytetarët. Unë aktualisht jam në Ministrinë e Drejtësisë, dhe kjo ministri nuk ka asnjë rrethojë. Do të thotë qytetarët mund të qasen pa asnjë pengesë. Prandaj këtë kemi insistuar që ta instalojmë edhe në institucionet tjera të Republikës së Kosovës, që të mos jenë aty mburojat, sepse ne nuk kemi nevojë të kemi frikë nga qytetarët. Nëse bëjmë gabime, natyrisht që do të ketë edhe llogaridhënie, por megjithatë qytetarët nuk duhet të kenë pengesa t’i qasen institucioneve”, ka thënë ministrja në detyrë, Albulena Haxhiu.
Për këtë çështje ka folur edhe kryeministri Kurti në një konferencë për media. Ai ka thënë se pavarësisht rekomandimit të policisë që këto rrethoja të mos hiqen, ushtruesi i detyrës së ministrit të Brendshëm me ekipin e tij në ministri kanë vlerësuar që nuk ka kërcënim të sigurisë dhe ato janë hequr.
Sipas kryeministrit, kjo ka qenë ide e më hershme, e ndoshta edhe janë vonuar në heqjen e tyre, por nuk ka nevojë për asnjë shqetësim sa i përket sigurisë.