Ambasada e Ukrainës në Beograd u kërkon autoriteteve serbe të heqin simbolet “Z” nëpër hapësirat publike

Ambasada e Ukrainës në Beograd të marten u bëri thirrje autoriteteve serbe që të heqin shkronjën “Z” nga hapësirat publike, e cila shpreh një qëndrim armiqësor ndaj ukrainasve dhe të qëndrojnë publikisht në mbrojtje të popullit ukrainas, raportoi e përditshmja serbe “Danas”.

“Tani edhe një herë po tërheqim vëmendjen e të gjithë përfaqësuesve të qeverisë serbe për shkronjën “Z”, e cila është e shkruar nëpër mure, makina dhe madje edhe një tank në stadium, gjë që do të thotë brohorimë “Vrite një ukrainas”, thuhet në një deklaratë të ambasadës ukrainase si reagim ndaj ministrit të brendshëm serb, Aleksandër Vulin.

Ambasada e Ukrainës shtoi se “pret që qeveria serbe të marrë iniciativën për të hequr këto slogane gjenocidale kundër ukrainasve” ​​dhe se do të lëshojë “të paktën të njëjtën deklaratë publike në mbrojtje të popullit vëllazëror ukrainas” si misioni diplomatik ukrainas në Beograd në vitin 2019.

Duke komentuar përgjigjen e Vulin ndaj deklaratës së saj të djeshme në lidhje me deklaratën e mëparshme të ministrit serb të policisë, Ambasada e Ukrainës në Beograd deklaroi se në tetor 2019 shprehu “indinjatën e thellë për deklaratat provokuese kundër popullit vëllazëror serb” të dëgjuara gjatë ndeshjes futbollit të Dinamo Kievit me Kopenhagen daneze.

Lidhur me thirrjen “Vrite Serbin” të kënduar nga tifozët e Dinamos nga Kievi në atë kohë, Ambasada e Ukrainës deklaroi se i konsideron “thirrjet çnjerëzore dhe padyshim joukrainase jo vetëm anti-serbe, por edhe një provokim të fortë anti-ukrainas”.

Vulin tha dje se ai “nuk e di se ku Ambasada e Ukrainës gjeti një arsye për të reaguar” ndaj deklaratës së tij të mëparshme, por se “ai e di se nuk e ka parë të përshtatshme të këndojë dhe të brohorasë thirrjet e tifozëve në Kiev për vrasje ndaj serbëve”.