Ambasadorja e Britanisë së Madhe në Beograd, Sian MacLeod, në një intervistë dhënë për Tanjug, ka pohuar mbështjetjen e palëkundur të Mbretërisë së Bashkuar për dialogun dhe normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Pyetur nga gazetari se “a është njëanësi pozicioni i Britanisë së Madhe karshi pavarësisë së Kosovës”, ajo u përgjigj fare shkurt se “kjo nuk është njëanësi, është fakt politik”.
“Mbretëria e Bashkuar e njeh pavarësinë e Kosovës. Është ndryshe nga pozicioni i Serbisë, mirëpo kjo nuk është njëanësi, është fakt politik”.
Diplomatja britanike, normalizimin e marrëdhënieve e quajti “element tejet të rëndësishëm për të ardhmen e stabilitetit dhe prosperitetit në rajon”, dhe thekson se mbi këto premisa, Kryeministri Boris Johnson ka emëruar Stuart Peach-in si të dërguar të posaçëm për Ballkanin Perëndimor.
“Mbi të gjitha gjërat tjera, kjo është shenjë e qartë që Qeveria e Britanisë ka qenë dhe do të vazhdojë të ketë vendosmëri të fortë politike ndaj rajonit”.
Ajo u pyet mbi vërtetësinë e asaj që është thënë se “Stuart Peach është emëruar në këtë pozicion nën presion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, dhe tha se emërimi i tij “është shenjë e vendosmërisë britaneze”.
“Sir Stuart do të punojë ngushtë, jo vetëm me të dërguarin amerikan në Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, por edhe me të dërguarin e posaçëm të BE-së, Mirsollav Lajçak”.
“Kjo gjë, është definitivisht vendim i Britanisë së madhe”, potencoi ajo.
Një gjë e tillë, shpjegon diplomatja, ka ardhur në një kohë kur Britania është e shqetësuar për sigurinë e rajonit, e veçanërisht për stabilitetin e Bosnjes dhe Hercegovinë.
“Andaj, një gjë e tillë është hap logjik”.
Sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbësi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, ajo e quajti “ashtu siç është”, sepse vendi i saj nuk është më pjesë e unionit.
“Por vendosmëria që kemi për të mbështetur dialogun mbetet e fuqishme. E mbështesim ata në mënyra të shumta, për shembull duke siguruar mbështetje teknike dhe financiare për të ndihmuar në zbardhjen e fatit të personave të pagjetur”.
“Stuart Peach do të punojë ngushtë me Miroslav Lajcak për dialogun”.
“Normalizimi i marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës, për shembull, do të sillte përfitime për njerëzit e të gjithave komuniteteve. Në anën tjetër, retorika provokuese dhe veprimet që destabilizojnë dhe synojnë të sfidojnë rendin kushtetues dhe integritetin territorial të BeH-së rrezikojnë shumë gjëra”.