Analistët amerikanë për Malin e Zi: Instrumentalizimi i fesë, bota serbe dhe Moska si Roma e tretë

Nënkryetarja e Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS) Heather Conley, i tha programit në gjuhën serbe të Zërit të Amerikës, se Shtetet e Bashkuara duhet të përfshihen më shumë në Malin e Zi, sepse ngjarjet e fundit janë shembull i instrumentalizimit të besimit dhe traditës për të nxitur ndarje – një strategji e rivalëve amerikanë edhe në vende të tjera.

Zonja Conley dhe analisti Janusz Bugajski, vlerësuan se kisha përdor çështjet fetare për të krijuar unitetin serb, Beogradi për ideologjinë e tij të “botës serbe” dhe Rusia për të treguar se është mbrojtësja e ortodoksisë.

Pothuajse dy javë pas protestave dhe incidenteve që pasuan shugurimin e Mitropolitit të Kishës Ortodokse Serbe Joanikije, në Cetinë, ende nuk ka përparim në Mal të Zi kur bëhet fjalë për uljen e tensioneve. Qeveria dhe opozita po shkëmbejnë akuza, dhe nuk ka shenja të dialogut të kërkuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Fatkeqësisht, partitë politike e vënë pushtetin e tyre, interesat e tyre mbi interesat dhe unitetin e vendit, në një kohë kur ne po përballemi me sfida të mëdha rajonale dhe globale. Dhe kjo është e papërgjegjshme në shumë mënyra“, tha për Zërin e Amerikës, Heather Conley, nga Qendra e Uashingtonit për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, përgjegjëse për Evropën, Euro-azinë dhe Arktikun.

Zonja Conley beson se të dyja palët janë fajtore për situatën në Malin e Zi, ndërsa veçon instrumentalizimin e çështjeve fetare si problemin kryesor, në mënyrë që, siç vlerëson ajo, malazezët të ndahen dhe vendi të largohet nga perëndimi.

Për fat të keq, Kisha Ortodokse Serbe, dhe madje mund të thuhet edhe Kisha Ortodokse Ruse, janë të instrumentalizuara për të ndarë më tej shoqërinë perëndimore. Dhe ne kemi parë se kjo që po ndodhë në Mal të Zi, ka ndodhur edhe me herët. Ne e kemi parë këtë në Gjeorgji dhe gjetkë. Dhe po, opozita sigurisht që është shumë e interesuar për të shembur qeverinë aktuale. Qeveria aktuale po përdor gjithashtu ndikimet nga Beogradi dhe Moska për qëllimet e saj. Njerëzit duhet ta kuptojnë se instrumentalizimi i besimit dhe vlerave tani është pjesë e polarizimit dhe ndarjes në vend. Po, është e vërtetë që kisha e përdor atë si një mënyrë për të krijuar unitetin serb dhe për të degraduar identitetin e Malit të Zi. Sidoqoftë, në të njëjtën kohë, ne duhet të respektojmë qëndrimet fetare, vlerat dhe traditat e të tjerëve”, tha zonja Conley.

Me një paralajmërim për rrezikun nga dhuna, analisti Janusz Bugajski nga Fondacioni Jamestown, që vëzhgon ngjarjet në rajonin më të gjerë euro-aziatik, beson se Beogradi zyrtar qëndron prapa ngjarjeve në Mal të Zi, qoftë në javët e mëparshme qoftë edhe vitin e kaluar.

Jam i bindur se ekziston një projekt, i konceptuar në Beograd me nacionalistët serbë në Mal të Zi, që duan ta kthejnë vendin nën ombrellën e Serbisë, të të ashtuquajturës ‘botë serbe’. Veprimtaritë e Kishës Ortodokse Serbe janë gjithashtu pjesë e këtij ekuacioni, veçanërisht duke pasur parasysh se kryeministri malazez Krivokapiç është një besimtar i krishterë ortodoks i pasionuar, me një tendencë për të ndjekur politikën e kishës. Dhe sigurisht, partia më e madhe në koalicionin qeveritar në Podgoricë mbështet ndikimin më të madh serb në vend, duke zbehur rolin e Malit të Zi si një shtet i pavarur, dhe në të njëjtën kohë, duke zbehur identitetin e malazezëve si një komb i veçantë. Me fjalë të tjera, konflikti në Cetinë u konceptua sepse Serbia është e vendosur të shtyjë çështjen e identitetit – dhe çështja e kishës është e lidhur ngushtë me të – të përpiqet të provojë se Mali i Zi është në fakt pjesë e botës serbe”, tha zoti Bugajski.

Në prag, gjatë dhe pas ngjarjeve në Cetinë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, u kritikua për nxitjen e tensioneve dhe përçarjeve në Malin e Zi përmes kishës, të cilat ai i mohoi. Zoti Bugajski beson se në Malin e Zi dhe me gjerë në rajon, presidenti Vuçiç po përpiqet të përtërijë ideologjinë e botës serbe nën imazhin e Rusisë.

Për Vuçiçin, një shkallë e caktuar e paqëndrueshmërisë mund të jetë e nevojshme për të arritur qëllime më të mëdha – që nënkupton të përpiqet të ndryshojë pozicionin e Malit të Zi si një aleat i fortë i perëndimit dhe ta afrojë atë me pozicionin e Serbisë në politikën e jashtme dhe të sigurisë. Me fjalë të tjera, heqjen sanksioneve ndaj Rusisë dhe tërheqja e njohjes së Kosovës. Tërheqja e njohjes së Kosovës do të ishte një fitore e madhe për Vuçiçin dhe pozitën e tij të imagjinuar si ndërtues i një kombi të madh serb”, tha Janusz Bugajski.

Mendoj se është shumë e rëndësishme të vendosim kontekstin e ngjarjeve të 5 shtatorit në kontekstin e 15 shtatorit dhe festës së ditës së ‘unitetit serb’. Kisha Ortodokse Serbe është një identitet i fortë me një rol më të madh për Serbinë jashtë kufijve të saj. Ajo thërret në besim, dhe identitet. Dhe po, presidenti Vuçiç përmendet brenda atij instrumentalizimi. Në shumë mënyra, ajo mund të ndjekë strategjinë e Kremlinit se si përdoret Kisha Ortodokse Ruse, pavarësisht nëse është fjala për Ukrainën apo Gjeorgjinë”, tha zonja Conley një nga autorët e raportit mbi ndikimin rus në Evropën Qendrore dhe Lindore.

Sipas zonjës Conley, Rusia po keqpërdorë dhe nxitë dobësitë në Malin e Zi dhe po përdor fenë si një mënyrë për të ndarë sllavët nga bota perëndimore.

Kjo ‘dekadencë’ e perëndimit është një temë e madhe, ku feja dhe Moska janë mbrojtëse të traditës fetare, konservatore. Dhe kjo kontribuon në krijimin e ndarjeve. Dhe sigurisht, kisha u gjend në të gjitha këto, megjithëse në shumë raste qartazi ishte e gatshme të përfshihej për hir të vetes dhe prestigjit të saj. Megjithatë, kjo për fat të keq, është në një farë mënyre shkelje e lirive fetare sepse është e politizuar në atë masë që i ndan bashkësitë fetare dhe nuk i bashkon ato”, tha zonja Conley.

Ajo thekson se zyrtarët e lartë rusë do të vazhdojnë të tregojnë Malin e Zi si një shembull për popullin rus “përse perëndimi po sulmon besimin e tyre, pse bota sllave duhet të bashkohet nën ortodoksinë dhe pse në versionin më të skajshëm, Moska përfaqëson Romën e tretë”.

Zoti Bugajski pajtohet që Moska dëshiron të ringjallë ndarjen e vjetër “midis katolicizmit në perëndim dhe ortodoksisë në lindje”, ku “Moska është Roma e tretë që mbron popullsinë vëllazërore ortodokse në Ballkan”. Ai gjithashtu krahason situatën aktuale me ngjarjet në Ukrainë.

Rusia pësoi një humbje të madhe kur disa vjet më parë Kisha Ortodokse e Ukrainës u njoh përfundimisht si autoqefale, e cila ka pavarësinë e plotë dhe patriarkun e saj. Kisha Ortodokse Ruse po humbet shumë besimtarë dhe prona në Ukrainë. Gjëja e fundit që duan (Vladimir) Putin dhe Vuçiç, është një situatë e ngjashme në Mal të Zi. Kjo është arsyeja pse çështja e kishës është bërë jashtëzakonisht e rëndësishme. Sepse për ukrainasit, një kishë ortodokse e pavarur do të thotë që historia dhe identiteti i tyre më në fund është njohur – se ata nuk janë rusë. Është njësoj për malazezët – historia, identiteti i tyre do të njihet përmes njohjes dhe përtëritjes së Kishës Ortodokse Malazeze. Kjo është arsyeja pse po zhvillohet kjo betejë e madhe për ta shtypur sa më shumë dhe për të rikthyer autoritetin e Kishës Ortodokse Serbe“.

LEXONI EDHE KËTË

Zyrtarizohet pavarësia e kishës ortodokse ukrainase

Zoti Bugajski dhe zonja Conley besojnë se një përfshirje më e madhe amerikane është e nevojshme për ta zgjidhur situatën në Malin e Zi.

Zoti Bugajski thotë se është e nevojshme që Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, të ushtrojnë trysni mbi qeverinë aktuale malazeze që të gjitha vendimet për identitetin, historinë, shtetësinë dhe sigurinë malazeze të merren me konsensus të plotë politik dhe në konsultim me shumicën e popullsisë malazeze.

Ne kemi nevojë për një deklaratë nga një zyrtar sa më i lartë i BE-së, së bashku me Departamentin amerikan të Shtetit, në të cilën ne do të thoshim se ‘thjesht nuk do të qëndrojmë mënjanë dhe të lejojmë që sovraniteti, siguria, shtetësia dhe identiteti i Malit të Zi të dëmtohet nga forcat nacionaliste që bashkëpunojnë me shërbimet ruse të zbulimit. Të dërgohet një qëndrim shumë i fortë se do të mbështesim çdo qeveri që mbron Malin e Zi si një shtet i pavarur, një vend anëtar i NATO –s dhe aspirues për anëtarësim në BE, por nuk do të lejojmë që vendi të zhduket“, tha zoti Bugajski për Zërin e Amerikës.

Heather Conley thotë se është e rëndësishme që Shtetet e Bashkuara të kuptojnë problemin e instrumentalizimit të fesë në Mal të Zi për të provokuar ndarje dhe të sigurohen që kjo çështje është e njohur edhe nga partitë politike në mënyrë që të mos “bien në atë kurth”. Ajo gjithashtu vlerëson se një rol më i madh dhe më i dukshëm i Uashingtonit dhe Brukselit është i nevojshëm, jo vetëm në Malin e Zi, por edhe në rajonin më të gjerë të Ballkanit Perëndimor, i cili, sipas saj, është duke ngecur si në rrafshin e brendshëm ashtu edhe në atë të jashtëm.

Joe Biden është presidenti amerikan që e njeh më së miri Ballkanin Perëndimor. Dhe ne duhet të përdorim atë nivel të njohurive. Administrata duhet të rishqyrtojë synimet e saj. Nëse nuk është anëtarësimi në BE, që nuk duket i mundur në të ardhmen e afërt, çfarë tjetër? Si të ringjallen reformat? Cilët janë shkopinjtë dhe karotat tona të reja? Cilët janë interesat tona strategjike në këtë drejtim? Sigurisht, ne duhet ta bëjmë atë në bashkëpunim të ngushtë me Bashkimin Evropian, i cili gjithashtu nuk është ë gjendje të përqendrohet në rajon. Shpresoj për nisma të reja nga Uashingtoni dhe Brukseli dhe se qeveria e re gjermane do të rishqyrtojë qasjen e saj dhe do të sjellë energji të re. Sidoqoftë, ne nuk mund të bëjmë gjithçka. Ne mund të sigurojmë fonde, të inkurajojmë, ndëshkojmë. Por, në fund, qytetarët e rajonit duhet të luftojnë për një të ardhme më të mirë” , përfundon analistja Conley.