“(Bashkimi Evropian) po kërcënon Serbinë të ndalë negociatat e anëtarësimit. Vërtet duhet të pyesim veten nëse duam të bëhemi pjesë e një aleance që do të na sjellë në konflikt me të gjithë botën”.
Këtë deklaratë e ka dhënë ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandër Vulin, si kundërpërgjigje ndaj kritikave të eurodeputetëve në Parlamentin Evropian në lidhje me refuzimin e Serbisë për t’iu bashkuar sanksioneve të BE-së kundër Rusisë.
“Deklarata e social-demokratëve evropianë i ngjan deklaratave të social-demokratëve para Luftës së Parë Botërore, kur ata mbështetën Evropën në nxitjen e konfliktit dhe fajësuan Serbinë për luftën”, ka thënë ai, transmeton mediumi serb ‘Danas’.
“Nëse vazhdon me politikën e kërcënimeve dhe shantazhit dhe dëgjon social-demokratët, Bashkimi Evropian do të konfirmojë se është në kundërshtim me veten dhe mjedisin e saj”, duke iu referuar Partisë Social-Demokrate në Gjermani e cila pati rol në Luftën e Parë Botërore, por jo ashtu siç pretendon Vulin.
Ndryshe, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka reaguar pas vendimit të Serbisë për të koordinuar politikat e jashtme me ato të Rusisë.
Ajo përmes një cicërime në rrjetin e saj social Twitter, ka deklaruar se ky vendim është një skandal i rëndë dhe njëkohësisht ka dërguar një mesazh të qartë në Beograd se Bashkimi Evropian mundet t’i ndalojë negociatat e Serbisë për anëtarësim në BE.
Edhe ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, po pret shpjegim nga Serbia se çfarë lloj dokumenti bashkëpunimi është nënshkruar me Rusinë, pas bisedimeve në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në New York.
“Askush nuk nënshkruan asgjë (me Rusinë). Është e vështirë për ne ta kuptojmë, por presim një shpjegim”, tha Hill.
Ministrat e Punëve të Jashtme të Serbisë dhe Rusisë, Nikola Selakoviç dhe Sergej Lavrov, nënshkruan më 23 shtator në Neë York “Planin e Konsultimit të Ministrive të Punëve të Jashtme” të dy vendeve për dy vitet e ardhshme.