“Anija hapësinore”, ndërtesa antisizmike që ka kushtuar 5 miliardë dollarë

Pamja e saj është jashtëzakonisht e veçantë, aq sa shumë njerëz e kanë krahasuar me një anije kozmike që është ulur në Tokë. Kjo është ndërtesa e re e kompanisë “Apple”, e cila mësohet të ketë kushtuar mbi 5 miliardë dollarë.

Ashtu si edhe kompania që përfaqëson, kampusi i ri i “Apple” është ndërtuar duke përqafuar teknologjinë më të re të ndërtimit. Ndërtesa në formë ovale nuk mbështetet mbi sipërfaqen e Tokës, por qëndron mbi 700 mbajtëse gjigante çeliku që e bëjnë atë t’iu rezistojë dhe tërmeteve më të forta. Në rast të një goditje të fortë sizmike, kampusi është në gjendje të zhvendoset deri në 1.2 metra mbi mbajtëset.

Në një intervistë për “The New York Times”, projektuesi i “Apple”, Jony Ive tregon se bashkëthemeluesi i kompanisë, Steve Jons ishte frymëzuar nga një projekt japonez ndërtimi i quajtur “base isolation.”

Selia e re e “Apple” ka brenda saj shumë facilitate duke përfshirë dhe një teatër, në gjendje të mbajë 1000 persona. Ajo gjithashtu e prodhon vetë energjinë nga panelet diellore që mbulojnë çatinë.

Me një investim mbi 5 miliardë dollarë dhe rreth 12 mijë punonjës në kampus, përfshirë këtu CEO-n Tim Cook, nuk është çudi që “Apple” kërkon të mbrojë “bazën” e saj.