Ankohen mërgimtarët: Pala serbe në kufi po na pyet për zhvillimet në Kosovë

Instituti OCTOPUS ka njoftuar se disa bashkatdhetarë kanë bërë të ditur se autoritetet serbe në kufi kanë shprehur interesim të veçantë për zhvillimet në Kosovë.

Instituti u ka bërë thirrje atyre që të mos përgjigjen në këto kërkesa dhe të mos bien pre e provokimeve të autoriteteve të Serbisë.

Përmes një njoftimi, OCTOPUS ka këshilluar bashkatdhetarët që rastet e tilla t’i raportojnë pranë autoriteteve të Republikës së Kosovës, apo shteteve në të cilat jetojnë.

“Në këto raste, qytetarët, nëse eventualisht pyeten për gjëra të tilla, të kërkojnë arsyet pse po ndalen dhe të kërkojnë praninë e avokatit; kërkojnë të kuptojnë se nëse janë të dyshuar për ndonjë vepër. Përndryshe, nuk kanë asnjë obligim që të flasin”, është theksuar në njoftim.

Si në çdo vit tjetër, bashkatdhetarët të cilët jetojnë në vende të ndryshme të Evropës kanë marrë rrugën drejt Kosovës për t’i kaluar pushimet.

Raporti i Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka bërë të ditur se pikat kufitare me Serbinë si Dheu i Bardhë dhe Merdar, vijojnë të mbesin më të ngarkuarat gjatë ditës së sotme.