Anton Quni: Agim Ramadani ishte i fascinuar me samurajët, prandaj ia propozova nofkën “Katana”

Edhe nderimet për heroin Agim Ramadani sot në 21 vjetorin e rënies së tij u bënë në mënyrë virtuale për shkak të pamundësisë për t’u bërë bashkë.

Ceremoninë “Ditëve të Shqipes” në këtë 21 vjetor e transmetuan drejtpërdrejt në rrjetet sociale gruaja e Agimit, Shukrije Ramadani, shokët e tij dhe qytetarët.

Anton Quni, ministër në detyrë i Mbrojtjes, në këtë ditë përkujtuese ka ndarë disa fakte interesante për bashkëluftëtarin dhe shokun e tij, Agimin.

Ai tha se pasi filluan miqësinë në trajnime ushtarake e beteja mësoi edhe disa gjëra për të.

“Mësova për pasionin e tij për pikturë, poezi dhe art në përgjithësi dhe po ashtu edhe për pasionin që kishte historinë e popullin tonë. Në kohën e lirë lexonte. Çdoherë kishte me veti libra të zhanreve të ndryshme, por më shumë i bënin përshtypje librat për formacionet e lashta ushtarake siç ishin spartanët, të pavdekshmit e Persisë, samurajët e të tjerë”.

“Kishte vlerësim të lartë për kodin etik të samurajëve. Ishte i fascinuar me moralin, rregullat, principet dhe gatishmërinë për të mbrojtur kauzën. Kur i propozova nofkën “Katana”, ai e pranoi me entuziazëm, pasi katana ishte arma e preferuar e samurajëve. I kishte të studiuara mirë personalitetet ushtarake të Luftës së Dytë Botërore, gjithmonë në këndvështrimin ushtarak dhe profesional dhe jo në atë ideologjik”.

Katana është një shpatë japoneze e karakterizuar nga një teh i lakuar. Ajo u përdor nga samurajët e Japonisë antike dhe feudale.
“Sot pas 21 vjetëve nga Beteja e Koshares, të gjithë ata që patën fatin të jenë krah me Agimin, sot që kanë përgjegjësi dhe detyra të ndryshme, por gjithmonë e kanë në konsideratë se si do të veprojnë nëse Agimi do të ishte në këto rrethana. Me jetën dhe veprën e tij ndikoi në personalitetin e tij të çdo bashkëluftëtari”.

Po ashtu, një mik tjetër i afërt që sot drejton një brigadë me emrin e tij “138 Agim Ramadani”, Rrustem Berisha, e konsideron si ditën më të rëndë kur humbi Agimin.

“Ishte një ditë kur forcat tonë u ballafaquan direkt me forcat serbe. Forcat tona ishin në sulm për t’i marrë objektivat e fazës së dytë kurse forcat serbe ishin në kundërsulm për rikthimin e pozicioneve të humbura. Ishte betejë e ashpër dhe e përgjakshme në të gjitha drejtimet e luftës. Por, forcat tona edhe përkundër ritmit të luftës, tri ditë pa ndërpre arritën t’ia dalin duke i shkaktuar armikut humbje të mëdha në njerëz, pajisje dhe duke ia bërë me dije se këtu kanë të bëjnë më një organizim profesional e ushtarak”.,

“Por, edhe nga radhët tona pësuam humbje. Në altarin e lirisë u flijuan për të mos vdekur kurrë Agim Ramadani nga Zhegra e Gjilanit dhe shokë të tjerë”.

“Kjo ditë ishte më e vështira në jetën time pasi më nuk e kisha në krah Agim Ramadanin, i cili ishte frymëzim për të gjithë luftëtarët e Betejës së Koshares. Edhe sot e kujtojmë figurën e Agim Ramdanit dhe sfidat me të cilën u ballafaquam gjatë këtij rrugëtimi”.