Ministri i Mbrojtjes, Anton Quni, i ka bërë ofertë zyrtare komandantit të Koshares, Hisen Berishës që të bëhet zëvendësministër i dytë.
Kjo ofertë e Qunit vije pasi Berisha nuk arriti të bëhet pjesë e kryesisë së PDK-së.
Mirëpo, kjo nuk është e tëra. Për t’u bërë zëvendësministër, Quni ka kërkuar nga Hisen Berisha që të bëhet pjesë e LDK-së.
Burime të sigurta të gazetës “Bota sot”, kanë konfirmuar se, për momentin është duke u diskutuar oferta e Qunit nga komandanti i Koshares, i cili është pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës, por që nuk arriti të marrë votat e duhura për t’u futur në Kuvendin e Kosovës.
Pas shqyrtimit, pritet që Berisha ta konfirmon këtë ftesë, e që sipas burimit tonë, ai mund edhe të pranon që të rikthehet në LDK dhe të bëhet zëvendëskryeministër i Mbrojtjes nga radhët e kësaj partie.
Burimi tutje thotë se, synimi i ministrit Anton Quni është edhe rikthimi i Rrustem Berishës në LDK.
Madje, Quni kishte kërkuar nga ish-ministri i Mbrojtjes, që të angazhohet si këshilltar i tij.
Berisha ka sqaruar se nuk do të pranojë të bëhet këshilltar politik i tij, por shtoi se është i gatshëm t’i dalë në ndihmë ministrit Quni, qoftë si këshilltar i jashtëm apo edhe të angazhohet në këshillimin e tij në formë miqësore.
“Po unë isha aty dhe u befasova me propozimin e tij, por megjithatë unë e kam shprehur gatishmërinë që çkado që ka nevojë e që është në interes të FSK-së jam i gatshëm me ndihmu. Por jo si këshilltar, sepse unë veç e kam statusin e rregulluar, domethënë 70% të rrogës e marr një vit”.
“Nuk kam arsye për me nxënë një vend aty, por jam i gatshëm qoftë si këshilltar i jashtëm, qoftë edhe vetëm kështu me i ndihmu kur ka një temë ose çka do që e vlerëson për ndonjë konsultë që mundem me i ndihmu”, deklaroi ai.
Komandanti i Koshares, Hisen Berisha gjithmonë ka pas lidhje shpirtërore me LDK, por i lidh edhe beteja e Koshares.
Beteja e Koshares është një ndër luftërat më të ashpra që kishte ndodhur në Kosovë, ku në këtë betejë humbjet e forcave serbe ishin jashtëzakonisht të mëdha.
Anton Quni, Hisen Berisha dhe Rrustem Berisha, por edhe shumë komandantë, dëshmorë e heronj të tjerë, ishin dhe mbetën në historinë e luftës së lavdishme të Kosovës.
Ata ndryshe njiheshin edhe si ushtarë të Ibrahim Rugovës, apo FARK-ut.