Antonio Balabani, refugjati i luftës me shqiponjën dy krenare në krah, po korrë suksese në futbollin amerikan

Mbrojtësi anësor shpëtoi nga konflikti i vitit 1999. Tani ai së bashku me familjen e tij po jetojnë ëndrrën amerikane në Miçigan.

Pas bllokimit që bëri kundër Sirakuzës javën e kaluar, Antoni “Toni” Balabani ngriti krahun e djathtë për të festuar plot emocion.

Në bicepsin e atij krahu vijëzohet tatuazhi i një shqiponje me dy koka, simbol i trashëgimisë së tij etnike shqiptare.

“Është vërtetë motivuese sa herë që e shoh,” tha ai. “’Është më shumë se disa ngjyra dhe forma në krah.”

Balabani vjen nga Kosova dhe një mbrojtës anësor i vitit të pestë në Universitetin e Miçiganit Perëndimor. Kanë kaluar dy dekada që kur ai dhe familja e tij u larguan nga atdheu i tyre, i cili atëherë ishte në mes të Luftës së Kosovës.

Konflikti i përgjakshëm ndërmjet Republikës Federale të Jugosllavisë dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës vazhdoi për 16 muaj. UÇK-ja ishin rebelë të përbërë kryesisht nga shqiptarë të Kosovës, apo kosovarë, grupi më i madh etnik në vend.

Gati 9,000 kosovarë u vranë ose u zhdukën për shkak të konfliktit, shumë prej tyre si rezultat i spastrimit etnik.

Balabani e identifikon veten si kosovar. Ai dëshiron që tatuazhi i tij të jetë një fener, një shenjë për të tjerët.

“Ne jemi njerëz shumë krenarë,” tha Balabani. “Shqiptarëve u pëlqen kur shohin shqiptarë të tjerë të kenë sukses. Unë dua që njerëzit të shohin krahun tim, pavarësisht nëse është në fushë, në TV, një shqiptar tjetër duke bërë diçka të tillë. Për t’u dhënë atyre, kudo që kemi qenë dhe çfarëdo që kemi kaluar – të gjithë kemi histori të ngjashme, shumica prej nesh – që ne mund ta kapërcejmë dhe të bëjmë gjëra të mëdha “.

Një tjetër kujtesë e rrënjëve të Balabanit gjendet në kroskotin e makinës së tij. Është një foto familjare ndryshe nga çdo tjetër që ai ka.

Në fotografi ai është një vocërrak, duke qëndruar në krah të motrës së tij më të madhe, Katrin, babait të tij, Luigji, dhe nënës së tij, Jacinte, e cila po mban motrën e tij të vogël, Elizabeth. Pas tyre janë shtretër të palosshëm në një tendë në Tataloo, Maqedoni, një kamp refugjatësh që ata do ta quanin shtëpi për pjesën më të mirë të tre muajve.

Ishte viti 1999, dhe familja u detyrua të linte fshatin e tyre afër Vitisë, Kosovë, thonë ata, nën kërcënimin e menjëhershëm të vdekjes nga ushtarët serbë.

‘Do vdisni të gjithë’

Luigji dhe kunati i tij ishin kapur jashtë gjatë shtetrrethimit të vendosur nga qeveria jugosllave. Familjes së tij iu tha të presin jashtë ndërkohë që dyshja u dërgua në bodrum dhe u rrahën.

“Unë i kam të gjalla imazhet e ushtarëve që sillen rreth shtëpisë duke mbyllur grilat. Mbaj mend që mendoja ‘Kjo nuk mund të jetë gjë e mirë’,” thotë Katrina, e cila ishte 7 vjeçe në atë kohë. “Ne kishim frikë se po e gjenim të vdekur… Mamaja ime tha,”Rri brenda me fëmijët dhe gjyshen,” dhe ajo hyri në bodrum. Unë nuk e dëgjova nënën time dhe pashë ta sillte babain tim lart. Ai kishte veshur një këmishë të bardhë. Mund të shihje të gjitha njollat dhe stërkat e gjakut mbi të dhe dajën tim.”

Sipas Luigjit, ushtarët nuk i hëngrën fjalët.

“‘Sonte po ju lëmë të shkoni, natën tjetër nëse ju shohim, do vdisni të gjithë,’” kujton ai. “23 Prill 1999, duhej të iknim nga shtëpia jonë… Kushdo do të bënte të njëjtën gjë.”

Familja mblodhi disa plaçka dhe u largua nga vendi. Luigji, një punëtor ndërtimi, tha se kjo gjë i kushtoi familjes gjithë kursimet për të kaluar kufirin në Maqedoni. Në kampin e refugjatëve, Toni dhe Elizabetha fillimisht flinin në shtretër të bërë prej kashte, ndërsa Katrina dhe prindërit e tyre flinin në dyshekë të shtruar nëpër shkëmbinj.

“Mbaj mend që udhëtimi me autobus për në kampin e refugjatëve ishte plot me njerëz … Gratë po qanin. Unë nuk do t’i harroj ato fytyra, pamjen e mposhtjes,” thotë Katrina. “Ishte e tmerrshme sepse ne nuk ishim në shtëpi. Prindërit e mi nuk kishin ndonjë perspektivë, por për momentin, ishte mirë sepse ne të paktën ishim të sigurt dhe larg nga kërcënimi fillestar se do na vrisnin.”

Pas bombardimeve të Jugosllavisë nga NATO-ja që sollën fundin e konfliktit, qeveria e Shteteve të Bashkuara ofroi azil për 20,000 refugjatë kosovarë në Maqedoni. Balabanët u zgjodhën, pjesërisht, sepse ata kishin familjarë që tashmë jetonin në SHBA. dhe do ta kishin më të lehtë për t’u asimiluar.

“Nuk kisha asnjë qindarkë në xhep,” thotë Luigji. “Ata na sollën këtu në ShBA falas. Kishte një lloj marrëveshje për biletat (e aeroplanit) që morëm nga një kishë.”

Familja jetoi për disa javë me tollona, para se Luigji të gjente punë në ndërtim dhe të anulonte shpejt ndihmën e qeverisë. Paga e parë e tij iu kthye kishës që kishte paguar që familja e tij prej pesë anëtarësh të fluturonte në shtëpinë e tyre të re në Sterling Heights afër Detroitit.

“Kur arritëm këtu, babai im nuk ishte duke pyetur: ‘Çfarë mund të marr nga Amerika?’. Ajo çfarë mendonte ishte ‘Si të them faleminderit?’”, thotë Toni. “E vetmja mënyrë me të cilën ne dimë të themi faleminderit është duke punuar dhe duke shfrytëzuar sa më shumë atë që na jepej. Ne jemi shumë mirënjohës për këtë vend, njerëzit këtu dhe mundësinë për të qenë këtu.”

Familja e Futbollit

Familja Balabani për herë të parë u kthye në Kosovë në vitin 2002 për të vizituar familjen. Ata kanë vazhduar të kthehen në atdheun e tyre për pushimet verore, por kanë hedhur rrënjë të reja në Metro Detroit.

“Qëllimi im; unë dua të vij këtu, ky është vendi më i mirë në të gjithë botën,” thotë Luigji. “Tani unë jam qytetar amerikan. Qëllimi im ishte të mësoja anglisht dhe të njihja historinë e Shteteve të Bashkuara, dhe një ditë arrita të kaloj testin për t’u bërë një qytetar amerikan.”

Përmes babait të tyre, Toni dhe motrat e tij u bënë qytetarë të natyralizuar. Nëna e tij ka status rezidence të përhershëm. Luigji dhe Jacinte mundën të ngriheshin ekonomikisht duke bërë ngado e tre punë njëkohësisht, derisa Luigji filloi biznesin e tij të ndërtimit.

Toni kishte treguar se kishte aftësi në fushën e futbollit që në moshë të re. Por mësuesi i tij i edukimit fizik në klasë të tetë, duke vërejtur djalin e fuqishëm të klasës, e drejtoi atë te futbolli amerikan dhe i tha që duhet të linte futbollin dhe të bëhej mbrojtës i skuadrës së futbollit.

Kur i thashë babait tim se doja të luaja futboll amerikan, ai tha ‘Jo. Ne luajmë futboll,’” thotë Toni me të qeshur. Ai kurrë nuk e ndiqte (futbollin amerikan) e as ishte i interesuar në të.”

Luigji e pranon se nuk dinte shumë për këtë sport në atë kohë. Por në të njëjtën kohë, ai po vinte djalin e tij në provë.

“I thashë jo për të parë se shumë dëshironte të luante futboll amerikan,” thotë ai. “E kuptova këtë kur ai vazhdonte të thoshte se donte të luante, kështu që i thashë: ‘Në rregull, provoje.’”

Toni ndoqi shkollën e mesme Dakota në Macomb Township, ku së shpejti krijoi një emër në fushë dhe në tapetin e mundjes. Ndërkohë, ai punonte në ndërtim për babanë e tij.

“Gjatë shkollës së mesme kur vinte në ndeshje, (babai im) as nuk dinte se çfarë të brohoriste atëherë,” thotë Toni. “Kur dëgjonte komentuesin të thërriste emrin tim, brohoriste. Ai nuk e dinte se çfarë po ndodhte. Ndërsa karriera ime ka përparuar, edhe njohuritë e tij për lojën kanë përparuar. Nëse unë jam në shtëpi, prindërit e mi shikojnë kanalin e futbollit. Ata gjithashtu janë të gjithë të dhënë pas lojës”.

Ndërkohë që po rekrutohej në skuadrat e futbollit, Tonit ende nuk i ishte ofruar një bursë e Divizionit I si rishtar. Një katolik i devotshëm, ai ishte në dhomën e rrëfimit me priftin e tij, duke diskutuar atë që ai e ndjente si një udhëkryq në jetën e tij të prej të riu.

“A është (futbolli) diçka që duhet ta ndjek? Unë po punoja shumë me babanë tim, a duhet të vazhdoja t’i dedikohesha futbollit apo duhej të vazhdoja të ndihmoja babanë tim me kompaninë? Më duhej ndihmë për të vendosur mbi përparësitë e mia,” thotë Toni. “Ndërsa po flisja me priftin, zilja e telefonit tim po binte në dhomën e rrëfimit. Ishte një numër telefoni nga Buffalo. Unë u telefonova më vonë dhe ata më ofruan një bursë. Nëse kjo nuk ishte një shenjë, atëherë çfarë është një shenjë? Të gjitha në lojë, kjo ishtë ajo që duhet të bëj. Pastaj, një ditë pas ofertës së WMU (Universiteti i Miçiganit Perëndimor), unë u angazhova”.

Në WMU, Balabani ndenjti jashtë fushës para se të paraqitej në tre ndeshje në vitin 2016, kur Broncos dolën me rezultatin 13-1, fituan titullin e Mid-American Conference dhe u paraqitën në Bowl Cotton. Një vit më pas, ai u bë mbrojtës anësor fillestar me kohë të plotë, pavarësisht se trupi i tij i skalitur prej 190 cm dhe 111 kg ishte disi i vogël për pozicionin.

“Ai i bën njerëzit rreth tij më të mirë,” thotë trajneri kryesor i WMU-së, Tim Lester. “Ai është gjithmonë pozitiv. Nëse e di se nga vjen, arrin ta kuptosh. Nuk mund ta bëni me humor të keq. Është e pamundur. Ai do të gjejë një mënyrë për të kthyer çdo situatë – të mirë, të keqe ose neutrale – ai do të gjejë anën pozitive të saj dhe do të kthehet në fushë dhe do të luajë po aq fuqishëm, ose edhe më shumë se aq, lojën tjetër ”.

Balabani i papërkulshëm ka bërë emër si një nga goditësit më të fortë të Broncos. Ai është gjithashtu në ritmin e duhur që të ketë sezonin e tij më produktiv deri tani. Në dhjetor, ai do të diplomohet me shpresën se do të kthehet përfundimisht në zonën e Detroitit për të punuar për një nga tre kompanitë e mëdha të automobilave.

“Shumë krenar që jam këtu. Shumë krenar që jam amerikan dhe shqiptar në të njëjtën kohë,” thotë Toni. “Shpresoj se do mund t’i bëj krenarë shqiptarët në të gjithë botën, dhe ne si ekip futbolli do mund t’i bëjmë krenarë të gjithë”.