Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka reaguar pas arrestimit të dy zyrtarëve të lartë të kësaj ministrie nga Policia e Kosovës me urdhër të Prokurorisë Speciale.
Në një reagim të bërë publik nga kjo ministri, thuhet se MINT-i mirëpret çdo hetim për rastin e blerjes së rezervës shtetërore “ani pse ne jemi të bindur që furnizimet dhe rezerva shtetërore janë në përputhje me ligjet përkatëse, planin përkatës dhe asnjë dëm apo dëmtim nuk ka ndodhur me to”.
Kjo ministri thotë se tash e një kohë të gjatë, veçanërisht në muajt e fundit ka pasur përpjekje të mëdha që të keqinformohet publiku kosovar. Sipas ministrisë, “motivet dhe arsyet për këto veprime të nxitura dhe koordinuara nga palë të ndryshme të interesit duhet të jenë po ashtu pjesë e hetimit në këtë rast”.
“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë pret që organet e hetimit të kenë në vëmendje që krahas punës hetimore, të mos cenojnë në asnjë rrethanë sigurinë shtetërore, për sa kohë që bëhet fjalë për rezervën shtetërore të Republikës sonë, e klasifikuar sipas Ligjit për Rezervën Shtetërore dhe Ligjit për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar”, thuhet në njoftim.
Tutje, kjo ministri ka lutur po ashtu mediat që të përmbahen nga deklarime të pakonfirmuara nga ministria duke siguruar se “procesi i furnizimit me mallra për Rezervën Shtetërore, me standarde dhe parametra të përcaktuara të cilësisë, është trajtuar dhe monitoruar sipas legjislacionit në fuqi”.
“Ministria është e përkushtuar të vazhdojë me rritjen e Rezervës Shtetërore edhe në këtë vit, sipas Ligjit mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikёs sё Kosovёs pёr vitin 2023, me qëllim që të sigurojë qytetarët që në rrethana të jashtëzakonshme të kenë përkrahjen shtetërore në tejkalimin e situatave eventuale të krizës”, thuhet në fund të reagimit.
Mëngjesin e sotëm, dy zyrtarë të lartë të MINT-it, Drejtori i Departmentit për rezervat shtetërore, Hafiz Gara, dhe Drejtorit të Departamentit të integrimeve evropiane, Irfan Lipovica, si dhe afaristi Ridvan Muharremi, u arrestuan nën dyshimin për veprat “Keqpërdorim i detyrës zyrtare’’, si dhe “Dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të Keqpërdorimit të detyrës zyrtare’’.
Prokuroria në njoftimin e saj tha se gjatë bastisjes janë siguruar dhe sekuestruar prova materiale të cilat do të përdoren për procedurë të mëtutjeshme hetimore, derisa të njëjtit me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë dërguar në mbajtje për 48 orë, si dhe brenda afateve ligjore kohore do të bëhet kërkesë për caktimin e paraburgimit.