Arrestohet efektivi i RENEA-s, iu gjetën mbi 100 mijë euro në makinë

Një efektiv i forcave RENEA ra në prangat e policisë së Tiranës këtë të martë. Ai është 43-vjeçari Altin Morina, shef stërvitje i forcave speciale dhe akuzohet për pastrim parash, fshehje të të ardhurave e shpërdorim detyre.

Burime zyrtare të policisë bëjnë të ditur se 43-vjeçari u ndalua pas informacioneve se në një Audi, makina që drejtohej prej tij, kishte shuma të mëdha parash. E në fakt, nga kontrolli i makinës së 43-vjeçarit Morina, në sediljen e pasagjerit u gjet një qese brenda së cilës kishte lekë, euro e paund.

Në total, policia thotë se Morinës iu gjetën rreth 113 mijë euro, rreth 290.00 lekë të rinj dhe 80 paund.

NJOFTIMI I POLICISE

Mesditën e sotme, falë inteligjencës informative se një shtetas (punonës police), qarkullonte me automjet tip “Audi” dhe kishte me vete sasi të konsiderueshme parash, menjëherë shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Fast”. Në kuadër të këtij operacioni, te Kodra e Diellit, shërbimet e Forcës së Posaçme Shqiponja kanë konstatuar dhe shoqëruar në ambientet e DVP Tiranë automjetin e dyshuar sëbashku me drejtuesin e tij shtetasin A. M., 43 vjec, banues në Tiranë, me detyrë Shef i Stërvitjes te Reparti Special Renea.

Gjatë kontrollit dhe kryrjes së automjetit rezultoi se në serdiljen e pasagjerit, në vendin e parë të automjetit, ndodhej një qese plasmasi brenda të cilës kishte lekë, euro dhe paund. Nga numërimi rezultoi se në qesen e palsmasit kishte rreth 113 mijë euro, rreth 290.00 lekë të rinj dhe 80 paund, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera nga strukturat hetimore të DVP Tiranë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. M., dhe materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprime të mëtejshme për vepra penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.