Policia e Kosovës ka arrestuar të dyshuarin me inicialet I.SH, pasi i njëjti dyshohet se fillimisht e kishte dëmtuar dhe më pas e kishte vjedhur bustin e “Emin Durakut” që ta shiste më pas në hekurishte.
Një gjë të tillë për Gazetën Express e ka konfirmuar Drejtori i Policisë rajonale të Gjakovës, Lumni Graishta.
Vlera e dëmit sipas Graishtës kap vlerën e 10 mijë eurove.
“Më datë 03.01.2020 Policia e Kosovës, përkatësisht DRP Gjakovë ishte njoftuar për një rast vjedhje në Rr.Elton Zherka- Gjakovë, ku persona të panjohur kishin vjedhur bustin e heroit ”Emin Duraku” i vendosur në oborrin e shkollës me të njëjtin emër. Vjedhja dyshohet të jetë kryer gjatë ditëve të festave ndërsa vlera e dëmit konsiderohet të jetë rreth 10.000€”, ka thënë Graishta.
Ai ka treguar se të dyshuarit i është caktuar masa e arrestit prej 48 orëve.
“Pas një pune intensive, hetuesit policor nga Stacioni Policor në Gjakovë, më datë 10.01.2020 kanë arrestuar të dyshuarin: I.SH. mashkull/shqiptar/kosovar dl.1989 i cili në prani të avokatit mbrojtës ka pranuar kryerjen e veprës penale. I dyshuari, fillimisht kishte dëmtuar bustin, me qëllim që të njëjtit t’ia humb formën e më pas ta shesë në ndonjërën nga hekurishtet e qytetit të Gjakovës. Busti i dëmtuar është konfiskuar në cilësi të provës materiale ndërsa me vendim të prokurorit të shtetit, i dyshuari ndalohet për 48 orë”, ka përfunduar Grashita.