Prokuroria Speciale ka njoftuar të martën se ka arrestuar një person me inicialet Z.A. i nacionalitetit serb, i cili dyshohet se ka kryer krime lufte kundër popullatës civile gjatë vitit 1999 në Kamenicë.
Sipas Prokurorisë, Z.A. dyshohet se gjatë periudhës së luftës në Kosovë, konkretisht në muajin mars 1999, në stacionin policor në Kamenicë në cilësinë e personit zyrtar dhe në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të policisë serbe, i uniformuar dhe armatosur, fillimisht kishte rrahur të dëmtuarin me inicialet B.M, me shufra gome dhe shqelma, duke e torturuar në mënyrë çnjerëzore, maltretuar dhe duke i shkaktuar lëndime të rënda, trauma dhe pasoja në shëndet dhe duke e kanosur seriozisht për jetë për një orë e gjysme, veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe protokolleve shtesë.
Po ashtu, siç ka njoftuar Prokuroria, ekziston dyshimi i arsyeshëm se i pandehuri Z.A., gjatë periudhës së luftës në Kosovë, konkretisht në periudhën shkurt-mars 1999, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të policisë serbe dhe grupeve paramilitare ka marrë pjesë në dëbimin dhe shpërnguljen me dhunë të qytetarëve të Kamenicës me rrethinë, pastaj ka filluara të bëjë plaçkitjen e shtëpive, e më pas me qëllim të dëmtimit të pronës së shqiptarëve, ia ka vënë zjarrin, si dhe ka marr pjesë në keqtrajtimin e civilëve shqiptarë.
Z.A. ngarkohet me veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile” nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Federatës së Jugosllavisë.