Inspektorati Policor i Kosovës ka bërë të ditur se gjatë së martës në qytetin e Gjilanit është arrestuar një pjesëtar i Policisë së Kosovës me gradën toger.
Sipas njoftimit, togeri jashtë detyrës zyrtare nuk kishte përfillur urdhrin e qeverisë kundër koronavirusit.
Me vendimin e prokurorit, togerit në fjalë i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë si dhe është suspenduar nga detyra.
Pas këtij arrestimi ka reaguar, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Ai ka thënë se do të inkurajoj të gjitha institucionet e zbatimit të ligjit që të jenë të pa kompromis ndaj të gjithë atyre që bëjnë shkelje të ligjit, dispozitave ligjore dhe urdhrave të Qeverisë.
“Inspektorati Policor i Kosovës më ka njoftuar për suspendimin e një zyrtari të Policisë së Kosovës, që nuk ka përfillur urdhrat bazuar në vendimet qeveritare lidhur me pandeminë Covid 19. Si u.d ministër do të inkurajoj të gjitha institucionet e zbatimit të ligjit që të jenë të pa kompromis ndaj të gjithë atyre që bëjnë shkelje të ligjit, dispozitave ligjore dhe urdhrave të Qeverisë. Policët e Kosovës duhet të jenë garant i zbatimit të ligjit dhe shkelje të tilla në këtë kohë janë një model i keq edhe për qytetarët e Kosovës, të cilëve po u bëjmë thirrje të vazhdueshme për të ndjekur udhëzimet e institucioneve të Kosovës”, ka thënë Sveçla.
Ai thotë se, ky rast është i dënueshëm dhe se ka kërkuar nga të gjitha organet që ta trajtojnë me seriozitetin më të madh sipas të gjitha dispozitave ligjore në fuqi.
“Policia e Kosovës po bën punë të jashtëzakonshme këto ditë. Ata po vazhdojnë të qëndrojnë në vijën e parë të frontit në këtë kohë pandemie. Nuk do të lejojmë që askush dhe për asnjë arsye të njollosë punën e jashtëzakonshme që po bëjnë pjesëtarët e Policisë së Kosovës”, shtoi tutje ministri në detyre.