Kompania për dhënien e veturave me qira “Galaxy Plus” e ka denoncuar në polici punëtorin e Komunës së Fushë-Kosovës, Ilir Krasniqin, me pretendimin se i njëjti ka marrë me qira një automjet nga kjo kompani dhe të njëjtin ka tentuar ta shiste për pjesë në një autoservis. Nga policia kanë njoftuar se i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.
I njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale “mashtrimi”, shkruan Gazeta Sinjali.
Nga “Galaxy Plus”, mbrëmë kanë thënë për Sinjalin se Krasniqi kishte shkuar të hënën në këtë kompani, ku e kishte marrë për shfrytëzim një automjet, të cilin dje e kishte dërguar për ta shitur në një autoservis.
Pronari i kësaj kompanie tha se automjeti është gjetur në momentin e fundit, para se të demolohet.