Gjykata Supreme e Kosovës ka marr vendim që të lirojë nga akuza zyrtarin e Listës Serbe, Ivan Todosijeviq, për gjuhë të urrejtjes në deklaratën e tij ku mohonte masakrën e Reçakut.
Sipas arsyetimit që Supremja e ka dhënë për këtë rast, Todosijeviqi është shpallur fajtor me vendime që në Themelore dhe Gjykatë të Apelit, janë marrë në shkelje të ligjit penal nga neni 385 par.1 dhe nënpar.1.1 të KPP-së, pasi që thuhet se vepra për të cilën i pandehuri është shpallur fajtor dhe është dënuar nuk është vepër penale.
“Edhe pse mbrojtësi në kërkesë pretendon se aktgjykimet e kundërshtuara përmbajnë shkelje esenciale të dispozitave të procedurës, kjo gjykatë vlerëson se në rastin konkret nuk janë vërejtur shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, por se bazuar në provat e administruara në këtë çështje penale del se aktgjykimet e kundërshtuara janë marrë në shkelje të ligjit penal nga neni 385 par.1 nënpar.1.1 të KPP-së, pasi që vepra për të cilën i pandehuri është shpallur fajtor dhe është dënuar nuk është vepër penale”, thuhet në aktgjykimin e Supremes, që është marr nga kolegji i kryesuar nga gjyqtarja Valdete Daka.
Sipas Supremes në fjalimin e Todosjeviqit, ku ai e mohon masakrën e Reçakut, nuk ishte paraqitur ndonjë fakt, por ishin shfaqur opinione, të cilat thuhet se, nuk është e nevojshme që të faktohen se a janë të vërteta apo jo.
“Gjykata Supreme e Kosovës nuk pajtohet me konkludimet e nxjerra nga ana e gjykatës së shkallë së parë, meqë në fjalimin e të pandehurit nuk ishte paraqitur ndonjë fakt, por ishin shfaqur opinione të cilat nuk është e nevojshme që të faktohen se a janë të vërteta apo jo, dhe për më tepër, përkundër faktit se: “…opinioni i të pandehurit shpreh një opinion që dallonte nga opinionet e vendosura…”, thuhet në aktgjykimin e Supremes.
“Pra, duke u referuar në fjalimin e të pandehurit del se i njëjti shfaqi një opinion të tij, meqë fjalitë e përdorura se: ‘arsyeja për agresionin në shtetin tonë ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare, Reçaku u shpik në Kosovë e Metohi dhe ishin ata terroristët shqiptar që shpikën të gjitha këto, kryen krimet më të mëdha në Kosovë dhe Metohi për të cilat askush deri më sot nuk ka marrë përgjegjësi. Kanë kryer krime para agresionit të NATO-s, kanë vrarë shtëpiak të mirë serb dhe polic në vendin e tyre të punës, vazhduan festën e përgjakshme gjatë agresionit dhe pas ardhjes së të ashtuquajturit mision paqësor në Kosovë e Metohi’, nuk paraqesin ndonjë fakt rreth të thënjeve të tij. Për më tepër, siç është përkufizuar GJEDNj në vendimin e saj:, ‘…ekzistimi i fakteve mund të demonstrohet, ndërsa opinionet nuk mund t’i nënshtrohen vërtetësisë…’ rasti Lingens & Austrisë nr.29815/82, për të vazhduar se e drejta e opinionit është aspekt thelbësor i së drejtës së lirisë së shprehjes dhe garantohet me nenin 10 të KEDLNJ”, thuhet tutje në vendim.
Sipas këtij aktgjykimi provat e administruara nga ana e dy gjykatave më të ulëta gjyqësore janë interpretuar në mënyrë të gabueshme dhe se rrjedhimisht janë nxjerrë konkludime të gabuara, dhe atë në dëm të të pandehurit. Sipas tyre kjo e bën të mundur ndryshimin e aktgjykimeve të dy shkallëve më të ulëta, në të cilat Todosjeviqi ishte shpallur fajtor dhe ishte dënuar me 1 vit burg.
Në aktgjykim thuhet se Supremja në tërësi pajtohet me konkludimet e nxjerra nga dy instancat gjyqësore se në rastin konkret sipas asaj që ceket në dispozitivin e aktgjykimit të shkallës së parë nuk rezultojnë të jenë kontestuese rrethanat se: i pandehuri me datën 24.03.2019, në rrugën “Kral Millutini” në Zveçan kishte qenë pjesëmarrës në tubimin e organizuar me rastin e ndërhyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë; aty kishte mbajtur fjalim para një numri personave të tubuar; përmbajtja e fjalimit të tij ishte në përputhje të plotë me përshkrimin e dispozitivit të aktgjykimit të gjykatës së shkallës së parë.
Mirëpo nga këto rrethana, ashtu siç është pretenduar edhe në kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë, në aktgjykim thuhet se “kontestues është fakti se përmes këtij fjalimi a ishin përmbushur elementet e veprës penale në fjalë dhe se shprehjet e përdorura a paraqesin bazë për inkriminim apo fjalimi i të pandehurit nuk hyn në zonën penale dhe rrjedhimisht bën pjesë në të drejtën e garantuar për lirinë e shprehjes e përcaktuar me nenin 10 të KEDNJ dhe se ishin pikërisht këto dy aspekte që kanë bërë dallimin mes interpretimit të bërë nga gjykata e shkallës së parë dhe të cilin konstatim e kishte pranuar edhe gjykata e shkallës së dytë në njërën anë dhe Gjykatës Supreme të Kosovës në anën tjetër”.
Supremja ka shprehur shqetësimin e saj përkitazi me siç thuhet, standardin e aplikuar së pari nga ana e Prokurorisë së Shtetit e mbështetur pastaj nga ana e dy gjykatave të dy instancave më të ulëta gjyqësore, të cilat thuhet se përdorën një standard minimal dhe që veprimet e të pandehurit i cilësuan si veprime që përbëjnë vepër penale dhe atë pa një vlerësim dhe analizë të mirëfilltë dhe gjithëpërfshirëse të provave që ishin në shkresat e lëndës dhe njëkohësisht duke bërë interpretim të gabuar të ligjit penal.
Todosijeviq ka qenë ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal në Kosovë, në kohën kur e ka bërë deklaratën ku ka mohuar masakrën e Reçakut. Për këtë deklaratë ai ishte shkarkuar nga pozita e ministrit, nga kryeministër i atëhershëm Ramush Haradinaj.