Presidenti rus Vladimir Putin, në fjalën në Forumin Ekonomik Ndërkombëtar në Shën Petersburg, ka akuzuar Shtetet e Bashkuara se mendojnë se janë e vetmja qendër e botës, dhe se nuk vënë re se sa qendra të tjera fuqie ka.
Lideri rus ka shtuar se kombet perëndimore ende mendojnë në kushtet e shekullit të kaluar, duke i trajtuar shtetet e tjera si koloni.
Ai u shpreh se SHBA përpiqet të izolojë shtetet e gabuara, referuar sanksioneve dhe politikave të ndjekura ndaj Moskës pas nisjes së agresionit në Ukrainë.
Putin i ka quajtur sanksionet e marra nga Perëndimi si të çmendura dhe pa kuptim. Madje shtoi se qëllimi i sanksioneve nuk është arritur pasi këto Perëndimi nuk ka arritur të thyejë Moskën.
“Lufta ekonomike kundër Rusisë nuk kishte asnjë shans për të pasur sukses që në fillim,”, është shprehur ai duke shtuar se sanksionet janë më të dëmshme për ata që i vendosën se sa ndaj Moskës.
Presidenti rus tha se Bashkimi Evropian mund të humbasë më shumë se 400 miliardë dollarë për shkak të sanksioneve të cilat janë vënë me qëllim dëmtimin e Moskës.
Ai shtoi se inflacioni po rritet në vendet e BE-së dhe shton se barazia do të rritet vetëm si rezultat i sanksioneve, ndërsa u shpreh se interesat e vërteta të njerëzve në Evropë po anashkalohen.
Putin është detyruar të shtyjë fjalimin në Forumin Ekonomik Ndërkombëtar në Shën Petersburg për shkak të një sulmi kibernetik.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha në një telefonatë me gazetarët se sulmi kibernetik kishte filluar të enjten dhe çaktivizoi sistemin e akreditimit dhe pranimit të të ftuarve në forum, duke çuar në një mori problemesh me aksesin.
Në lidhje me alarmit mbi një krizë globale ushqimore që rrjedh nga bllokimi i eksporteve pas nisjes së luftës, Putin tha se vendi i tij është në gjendje që të rrisë ndjeshëm eksportet e drithit dhe plehrave.
“Vetëm eksportet e grurit mund të rriten në rreth 50 milionë tonë”, thotë ai.
Ndërsa nisjen e “operacioni special ushtarak”, siç i referohet Moska luftës në Ukrainë, Putin tha se vendimi ishe i vështirë por përsëriti se ai është marrë me qëllim mbrojtjen e popullatës së Donbasit e cila ishte duke u përballur me gjenocidin.
“Perëndimi po vazhdon të pompojë Ukrainën me armë, të gjitha qëllimet e operacionit special do të arrihen pa asnjë dyshim”, ka shtuar ai.