FOTO&VIDEO

“Asnjë hap mbrapa”, Parada e Krenarisë që u mbajt sot në mbrëmje nëpërmjet fotografive

Në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, është mbajtur Parada e Krenarisë të shtunën pasdite, me moton “Asnjë hap mbrapa”.

Parada e Krenarisë shënoi aktivitetin e fundit në kuadër të Javës së Krenarisë, e cila nisi prej 9 qershorit.

Në Paradën e Krenarisë sivjet në sheshin “Skënderbeu”, e cila u mbajt për herë të nëntë në Kosovë, morën pjesë edhe kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama, si dhe disa ambasadorë të huaj në Kosovë, përfshirë atë britanik dhe gjerman.

Java e Krenarisë u dedikohet pjesëtarëve të komunitetit LGBTIQ+. Përgjatë kësaj jave, në shumë vende zhvillohen marshe e protesta, me kërkesën për njohjen e të drejtave ligjore për martesa mes personave të gjinisë së njëjtë.

Në ngjarjen për nisjen zyrtare të kësaj jave, përfaqësuesit e komunitetit LGBTIQ+ thanë se të drejtat e tyre shpesh janë vetëm në draft-ligje e plane qeveritare, teksa theksuan se pjesëtarët e këtij komuniteti vazhdojnë të përballen me diskriminim.

Blert Morina, drejtori ekzekutiv i Qendrës për Barazi dhe Liri (CEL), tha se do të dëshironte që në këtë ngjarje të përmendeshin disa suksese, sikurse ndërtimi i një strehimoreje për këtë komunitet, mundësia e martesave mes gjinisë së njëjtë, njohja ligjore e identitetit gjinor, ofrimi i trajtimeve shëndetësore për transgjinorët.

Por, ai tha se asnjë nga këto nuk është arritur dhe Kosova ende nuk është afër që t’i realizojë.

“Strehimorja ka dështuar sepse shteti ka dështuar t’i mbrojë qytetarët e vet, sepse martesa mes personave të gjinisë së njëjtë ende është vetëm një kauzë e jona e drejtë, sepse identiteti i njohur ligjërisht është përjashtim e jo rregull, sepse shërbimet për persona transgjinorë janë të paqasshme”, tha Morina.

Kosova nuk i lejon martesat mes personave të gjinisë së njëjtë.

Çështja ishte paraparë të rregullohej me Projektkodin Civil, por ai nuk ka marrë mbështetjen e deputetëve të legjislaturës së kaluar. Ndërkaq, përbërja e re parlamentare, e dalë nga zgjedhjet e shkurtit, ende nuk është konstituuar.

Mospajtimet kanë të bëjnë me nenin e këtij Projektkodi që do të mundësonte hartimin e një ligji të posaçëm, përmes të cilit do të lejohej regjistrimi i “bashkësive civile” mes personave me gjini të njëjtë.

Si nga krerët e bashkësive fetare në Kosovë, Projektkodi Civil ishte kundërshtuar edhe nga disa deputetë të legjislaturës së kaluar, të cilët kishin argumentuar se ishin kundër legjislacionit, pasi dëshironin t’i mbronin “vlerat e familjes”.

Gjatë hapjes zyrtare të Javës së Krenarisë, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se disa pjesëtarë të komunitetit LGBTIQ+ kanë pasur përvoja të këqija në Kosovë, sikurse edhe në vende të tjera të botës.

“Ndjenjat e turpit dhe të veturrejtjes, mospranimi nga familja dhe diskriminimi në shoqëri janë dukuri të cilat të gjithë ne që besojmë fort në liri dhe barazi duhet t’i luftojmë së bashku, të zotohemi se do të vazhdojmë përpara pa asnjë hap mbrapa”, tha Kurti.

Ai tha se ngjarjet sikurse Java e Krenarisë janë të rëndësishme në betejën për liri dhe të drejta të barabarta, pavarësisht orientimit apo identitetit seksual.

Kurti tha se Zyra e Kryeministrit është duke përgatitur një plan 2025-2027 për të drejtat e komunitetit LGBTIQ+, i cili, sipas tij, do të miratohet gjatë këtij viti.

“Ky plan veprimi synon të rrisë ndërgjegjësimin e publikut për parandalimin e diskriminimit, si dhe të ndërmarrë veprime konkrete nga institucionet në fushat e arsimit, shëndetësisë si dhe të sigurisë, mes tjerash”, tha ai.

Bashkimi Evropian tha se Kosova po bën hapa në drejtimin e duhur sa i përket mbrojtjes, përfshirjes dhe mosdiskriminimit të komunitetit LGBTIQ+.

Ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav, përmendi faktin që Parada e Krenarisë është mbajtur çdo vit në Kosovë pa asnjë incident.

Orav po ashtu përmendi konfirmimin e një aktakuze për krim të urrejtjes, rrëmbim, lëndim fizik dhe kërcënim ndaj privatësisë personale të një personi të komunitetit LGBTIQ+.

“Ky është një moment i rëndësishëm për drejtësinë në Kosovë”, tha ai.

 

 

FM IMAGES

FM IMAGES ALBANIA - Copyright © 2025 e-mail: info@fmimages.net. All Rights Reserved.

Recent Posts

Berisha krah Izraelit, thotë se “diktatura e Ajatollahëve” po shkon drejt fundit të merituar

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka dalë publikisht hapur në mbështetje të Izraelit dhe…

43 minuta ago

Trump paralajmëron Teheranin: Nëse Irani sulmon SHBA-në, ne do të përgjigjemi në nivele të papara!

Ndërsa tensionet në Lindjen e Mesme përshkallëzohen pa precedent me shkëmbime goditjesh dhe goditjesh brenda…

48 minuta ago

Irani vret 10 persona në Izrael, Trump dhe IDF kërcënojnë “hakmarrje” të ashpër

Një zjarr shpërtheu në një rafineri nafte pranë kryeqytetit të Iranit, Teheranit këtë të diel…

51 minuta ago

Irani nis sulm të ri me raketa ndaj Izraelit

Irani ka nisur një sulm të ri me raketa balistike ndaj Izraelit. Izraeli u dha…

13 orë ago

Izraeli: Fluturojmë lirisht mbi Teheran, kemi shkatërruar sistemin mbrojtës të Iranit

Forcat izraelite po veprojnë lirisht mbi hapësirën ajrore të Teheranit, pasi kanë eliminuar shumë nga…

14 orë ago

Shpërthim i fuqishëm pas sulmit të South Pars në Iran! Fusha më e madhe e gazit në botë përfshihet nga flakët

Mediat iraniane raportuan për një shpërthim të fuqishëm dhe një zjarr pas bombardimit me dronë…

16 orë ago