Sipas njohësit amerikan të Ballkanit, Jonusz Bugajski, Asociacioni i komunave serbe ishte ide e keqe që nga fillimi.
Sipas tij, “Qeveria e Kosovës ishte detyruar të nënshkruajë diçka për të cilën nuk ka ditur se cilat mund të jenë pasojat”.
“Është përgjegjësi e qeverisë aktuale që të parandalojë zbatimin e çfarëdolloj marrëveshje që do ta destabilizonte vendin dhe do të destabilizonte edhe rajonin”, tha Bugajski për RTK-n.
Ai konsideron që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk duhet të pranojë marrëveshje që destabilozojnë vendin.
“Nëse bashkësia ndërkombëtare duhet të kishte mësuar diçka është se nuk e duam edhe një Republikë Serbe në Ballkan, sepse kjo bëhet pastaj një burim konflikti, diskutimi dhe ndërhyrje ndërkombëtare nga Rusia”.
Bugajski vlerëson se Kosova duhet të vazhdojë të marrë pjesë në takime në secilin nivel për të demonstruar vullnetin e saj për marrëveshje.
Por, temat që duhet të diskutohen sipas tij, duhet të jenë brenda kontekstit të arritjes së njohjes reciproke.
Të martën e 16 nëntorit, Drejtori i të ashtuquajturës Zyrës për Kosovë në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç pas takimit dypalësh me emisarin e BE-së për dialogun Prishtinë-Beograd, Miroslav Lajçak, ka thënë se është delegacioni i Kosovës ai që ka refuzuar të bisedoj për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Në një prononcim për mediat serbe, Petkoviç ka thënë se delegacioni nga Beogradi ka insistuar të bisedohet për Asociacionin.
“Prishtina është ajo që refuzon të flasë për formimin e ASK-së, edhe pse pala jonë shumë drejtpërdrejt ka insistuar në formimin e ASK-së dhe ka paraqitur hapa konkretë për formimin e këtij komuniteti”, ka thënë ai.
Ndërkaq, Kurti në një intervistë për BBC-në, ka thënë se nuk do ta lejojë bosnjëzimin e Kosovës.
“Më 9 janar 1992, e shpallën pavarësinë, më 28 shkurt 1992, e bënë Kushtetutën e tyre, më 14 dhjetor 1995 në Dejton arritën njohjen ndërkombëtare. Duan ta përsëritin Bosnjën në Kosovë. Nuk do ta lejoj këtë”, ishte shprehur ai.
Por, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka kërkuar që Kosova dhe Serbia t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në Bruksel, përfshirë edhe formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
“Duhet të bëjmë gjithçka që të zbatohet ajo çfarë është nënshkruar”, pati thënë Stano.