Shtetet perëndimore do të përballen me rreziqe kolosale nëse furnizojnë Ukrainën me avionët e luftësF-16. Nuk ka vonuar paralajmërimi i Rusisë, pas njoftimit të shteteve të bashkuara se do të lejojnë aleatët të dërgojnë në Ukrainë avionët e avancuar, të prodhuara në Amerikë. Është zv. ministri i Jashtëm Aleksander Grushko, qe citohet të ketë bërë një deklaratë të tillë nga agjencia e lajmeve Tass, shkruan A2CNN.
“Po shohim se vendet perëndimore vazhdojë ti qëndrojnë skenarit të përshkallëzimi. Por kjo do të shoqerohet me rreziqe kolosale për to”, thotë Grushko.
Ai shton se një qasje e tillë do të merret në konsideratë, dhe se Moska i ka të gjitha mjetet për të arritur qëllimet e veta. Biden i njoftoi aleatët e G7 lidhur me vendimin për avionët, gjatë samitit që po mbahet në Hiroshima, siç bëri të ditur, këshilltari për sigurinë, Jake Sullivan.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e cilësoi si historik vendimin, teksa mbërriti në Japoni për t’iu bashkuar fizikisht samitit të rëndësishëm. Ai tha se paqja ishte tani më e afërt. Zelensky u prit me përqafime nga kryeministri britanik Rishi Sunak, e liderë të tjerë të vendeve më me ndikim.
”Ja dole”, i tha Sunak, i cili e ka takuar Zelenskin edhe gjatë turit të tij europian, javën e kaluar.
Presidenti ukrainas, u takua për herë të parë që prej shpërthimit të luftës, me kryeministrin indian Narendra Modi, që siç tha e kishte siguruar se do të bënte gjithçka për të gjetur një zgjidhje për luftën në Ukrainë. Nga krerët e 7 ekonomive më të mëdha ai mori garancinë se do të mbështesin Ukrainën për sa kohë që të jetë e nevojshme për të përballuar agresionin rus.
Në deklaratën finale ata i bëjnë gjithashtu thirrje Kinës të ushtrojë presion tek Rusia për tërheqjen e menjëhershme dhe të pakushtëzuar të trupave.