Dhomat e Specializuara i janë përgjigjur një kërkese të mbrojtjes të bërë së fundi, ku kanë kërkuar të mos përgjohen bisedat e privilegjuara klient-avokat në rastin më të madh të Speciales. Lidhur me kërkesën e parashtruar nga katër ekipet mbrojtëse, Gjykata është përgjigjur se nuk ka lëshuar urdhër për këtë lloj përgjimesh.
You can skip this ad in 5Advertisement
Kërkesës së parashtruar qershorin e këtij viti nga mbrojta e të akuzuarve Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, Gjykata Speciale i është përgjigj të hënën.
Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, tha se as trupi gjykues që e kryeson, as edhe gjyqtarët e tjerë nuk kanë dhënë urdhër për t’i përgjuar bisedat mes avokatëve dhe të akuzuarve.
“Më 17 qershor 2024, të katër ekipet e mbrojtjes dorëzuan njëherësh një kërkesë para këtij trupi gjykues, si dhe gjyqtarit individual. Ishte një kërkesë e përbashkët e mbrojtjes për mbrojtjen e privilegjit ligjor…Më 28 qershor 2024 u përgjigj Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe mbrojtja nuk u kundërpërgjigj. Më korrik 2024 gjyqtarja e vetme lëshoi vendim mbi kërkesën e mbrojtjes për garantimin e mbrojtjes së privilegjit ligjor. Trupi gjykues, po ashtu, vëren që në vendimin e 16 korrikut 2024 gjyqtari i vetëm konfirmoi se nuk kishte bërë monitorim të komunikimeve të privilegjuara në asnjë formë, as të bisedave personale, as të telekomunikimeve, as të korrespondencës me shkrim dhe as të dokumentacionit (të shkëmbyer v.j) mes të akuzuarve dhe avokatëve të tyre në objektin e paraburgimit. Së dyti, garantojmë mbrojtjen që nuk ka asnjë urdhër për monitorim të komunikimit të tyre me të akuzuarit në asnjë formë në Qendrën e Paraburgimit”, tha Smith.
Lidhur me këtë çështje, edhe kryetarja e gjykatës Speciale pati deklaruar se pavarësisht rrethanave, ka punuar vetë si avokate dhe e di se çfarë është shenjtëria e fshehtësisë së komunikimit mes avokatit dhe të pandehurit.
Dyshime se vetë të akuzuarit po japin udhëzime për t’iu treguar dëshmitarëve se si të dëshmojnë janë bërë të ditura për herë të parë në nëntor të vitit të kaluar.
E edhe më herët kishte nisur kufizimi i vizitave te të akuzuarit.
Në disa prej transkripteve që ishin publikuar në faqen e Dhomave të Specializuara, ish-presidenti Thaçi citohej t’ia kishte thënë një vizitori fjalët “nuk e di, nuk më kujtohet”, ashtu që vizitori t’i përcillte këto fjalë më pas te dëshmitarët për mënyrën se si duhej të dëshmonte.
Në biseda të tilla me vizitorët e tyre siç pati pretenduar Prokuroria, u patën përfshirë edhe ish-kryeparlamentari Kadri Veseli dhe ish-shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi.
Në emisionin “60 minuta” në KTV, avokati Amer Alija ka thënë se tashmë regjimi i vizitave është relaksuar në njëfarë mase, pavarësisht se ka ende kufizime.
Sipas tij, edhe qytetarët duhet të kenë kujdes e të mos i shpërndajnë të dhënat e ndjeshme kur ata bien në kontakt me to.
“Po ashtu, në rast se qytetarët ndikojnë te këta dëshmitarë sigurisht që Prokuroria do ta përdorë pretendimin se mbrojtja është duke ndikuar përmes personave të caktuar dhe mund t’i shfrytëzojë këto pretendime edhe për propozim për vazhdim të paraburgimit. Pra, duhet të jemi të kujdesshëm, të mos i ndajmë informatat edhe në rast se i kemi dhe kështu procesi duhet të vazhdojë në mënyrë të rregullt dhe pa pengesa”, tha Alija.
Që nga vendimi i publikuar më 23 nëntor, të akuzuarve u janë kufizuar vizitat me qëllim që ato të mos përgjohen në vazhdimësi, ku sipas rregullave të Gjykatës vizita të privilegjuara që nuk përgjohen janë ato nga familjarët e afërt, avokatët, konsujt, mjekët e klorikët.