Babai i Dua Lipës denoncon skandalin e Ministrisë së Integrimeve

Një raport i brendshëm i Ministrisë së Integrimit Evropian (MIE), që tashmë i ka shkuar edhe Zyrës së Kryeministrit, shpalos detaje për një kontratë tjetër të madhe të nënshkruar nga ish-ministrja Dhurata Hoxha në vitin 2019.

Në mesin dy kontratave të mëdha për lobim që u nënshkruan nga Dhurata Hoxha, sa ishte në krye të Ministrisë së Integrimit Evropian (MIE), është edhe ajo me kompaninë franceze “MAJORELLE PR & Event”.

Një dokument i brendshëm i MIE-së, të cilin e ka siguruar media, tregon sesi kjo kompani u pagua 168 mijë euro për disa shërbime fare të thjeshta.

Aktiviteti kryesor i saj ishte që ta njoftonte ministrinë në baza mujore lidhur me atë se çfarë shkruanin mediat franceze për Kosovën.

“Nga raportimet e këtij operatori ekonomik për shërbimet e kryera në emër të MIE dhe natyrën e shërbimeve, dalin dyshime mbase të bazuara se a i’a ka vlejtë të paguhen 28,000.00 euro në muaj për shërbime të tilla (si p.sh. përcjellja e shtypit francez etj; se a e kanë përmendur ose jo Kosovën, etj;), gjë e cila do mund të bëhej edhe nga Kosova, me një kërkim të thjeshtë duke shkruar fjalën “Kosova” bashkë me datën përkatëse në Google”, thuhet në këtë raport, që tashmë i ka shkuar edhe Zyrës së Kryeministrit.

Raporti është përgatitur pas ardhjes së Blerim Rekës në krye të Ministrisë së Integrimit Evropian.

Kompania franceze u pagua mijëra euro për shërbime që kryhen me një kërkim në Google.

Për krejt këtë proces ka reaguar edhe babai i Dua Lipës, Dukagjin Lipa.

“Agjencia franceze e marrëdhënieve me publikun, Majorelle PR në raportin e saj për arsyetimin e faturës mujore ndaj Qeverisë së Kosovës, përkatësisht Ministrisë së Integrimeve (28,000 euro në muaj, sipas raportit të Buletinit Ekonomik) e paska përmend edhe lobimin që e ka bërë në mediat franceze rreth festivalit Sunny Hill”.

“Duam ta sqarojmë se kjo agjenci nuk ka bërë absolutisht asnjë punë për Sunny Hill Festival. Asgjë. Në asnjë rast të dhënë”.

“Përkundrazi, ne e kemi refuzuar bashkëpunimin me këtë agjenci, meqë e njëjta e ka kushtëzuar ardhjen eventuale të gazetarëve francez në Kosovë me kërkesa jo-profesionale ndaj nesh si festival si dhe ndaj pjesëmarresve dhe përkrahësve të festivalit të nivelit më të lartë botërorë. Dhe natyrisht se ne e kemi refuzuar menjëherë një mundësi të tillë të bashkëpunimit..dhe për këtë tentim dhe qasje joprofesionale është njoftuar edhe Ambasada e Kosovës ne Francë”, ka shkruar Lipa në profilin e tij në Facebook.