Tensionet më të reja në pjesën veriore nuk e kanë lënë neutrale Gjermaninë. Kryediplomatja gjermane, Annalena Baerbock, ka thënë se Kosova ndihmoi në uljen e tensioneve, ndërsa Serbia e bëri të kundërtën. Ana Bërnabiq dhe Ivica Daçiq menjëherë sulmuan politikanen gjermane, që është e njohur për qëndrimet e zëshme të saj kundër Rusisë.
Aleksandar Vuçiq një kohë të gjatë ia ka dalë të aktrojë suksesshëm në raport me Berlinin zyrtar. Sa herë paralajmëronte takim me Merkel, për t’i hyrë ne qejf, thoshte se ka tremë para saj. Për t’a cuar tutje vardisjen, një kohë, e përsëriste se ka nisur të mësoj gjermanisht për takimet me ish -kancelaren gjermane.
Me ardhjen e Kancelarit të ri dhe pasi Rusia sulmoi Ukrainën dhe Vuçiq që nuk i vuri sanksione Moskës, ka filluar të ankohet. Rreth një muaj më parë kur në Kosovë flitej për shpalljen e zgjedhjeve në katër komuna, ai tha haptas se Berlini e Londra e mbështesin Kurtin në çfarëdo që bën ai.
“Kurti e ka mbështetjen e Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe për gjithçka, cka mund të bëjë aty Borell” thoshte ai.
Por kur pala kosovare dëgjoi ndërkombëtarët dhe shtyu zgjedhjet, Vuçiq nuk bëri asnjë hap të shtensionojë situatën.
Pikërisht kjo nxiti një reagim të ashpër gjerman mbrëmë. Berlini akuzoi direkt Serbinë për gjendjen në pjesën veriore të vendit.
Gjermania, përmes shefes së diplomacisë së saj, ka thënë se Serbia po i nxit tensionet me retorikën e saj për kthimin e forcave serbe në Kosovë. Kjo është e papranueshme, thotë Beanbock.
“Kosova uli tensionet duke i shtyrë zgjedhjet lokale. Serbia e bëri të kundërtën me retorikën e saj së fundmi. Kërkesa për kthimin e forcave serbe në Kosovë është krejtësisht e papranueshme. Ashtu siç janë sulmet ndaj EULEX-it”, ka shkruar kryediplomatja gjermane.
Në Serbi, kompanitë gjermane kanë hapur rreth 70 mijë vende pune. Ish – këshilltari i Merkel Christoph Heusgen pak ditë më parë nuk e fshehu zhgënjimin.
“Dhemb shumë që BE është investitori më i madh në Ballkan, e atje çmohet Rusia” tha ai.
Gjuha e drejtëpërdrejtë e gjermanëve ka acaruar serbët.
Zyrtarët atje, përfshirë kryeministren serbe, Ana Bërnabiq, i kanë reaguar ministres gjermane.
“Tani, befasisht, Ministrja e Punëve të Jashtme të Gjermanisë është qartazi duke thënë se Rezoluta 1244, e cila përcakton se Serbia ka të drejtë të kërkojë kthimin e një numri të caktuar të forcave të saj të sigurisë në Kosovë, duhet të injorohet sepse është “e papranueshme”, ka shkruar Bërnabiq në replikën e saj ndaj kryediplomates gjermane.
Kryediplomati serb, Ivica Daciq, ka tentuar t’i bëjë një analizë karakterit të Baerbockut, pas deklaratës së saj mbi retorikën serbe për rikthimin e forcave serbe në territorin e Kosovës. Sipas Daçiqit, homologia e tij gjermane ka rezultuar të jetë “e ngjashme me Kurtin”.
“Natyrisht se na intereson çfarë ajo thotë, sepse është ministre e Gjermanisë, por a e dini çka më ka thënë mua? Se asnjë Kryeministër i Kosovës nuk do ta pranojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe. E kam pyetur: A jeni në dijeni se cfarë po thoni, ata tashmë e kanë pranuar atë. S’ma ka kthyer, vetëm më dëgjonte. Ajo është e ngjashme me Kurtin”, ka thënë Daciq sot në një program të mëngjesit në Serbi, transmeton Danas.
Ministri serb thotë se kur Baerbock duhet ta dijë se kur kërkojnë të respektohet integriteti territorial i Ukrainës, “duhet të respektohet edhe integriteti territorial i Serbisë”.
Orkestruesi i kësaj gjuhe, Vuçiq, paralajmëroi se në Serbi më 17 dhjetor do të shkojë Jens Plotner këshilltari i Kancelarit Olaf Sholz bashkë me kolegun e tij frances dhe emisarin amerikan.
Ato që i tha Baerbock në Berlin u bëri jehonë ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, e cili ka shkruar “Fjalë kristal të qarta nga Baerbock dhe dënim baraz i qartë nga BE-ja, SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar: Ne tregojmë zero tolerancë ndaj çfarëdo dhune apo eskalimi”, shkroi ai në tëitter.
Kosova ka vendosur t’i shtyjë zgjedhjet që ishin caktuar të mbaheshin më 18 dhjetor në katër komunat me shumicë serbe, pas dorëheqjes së kryetarëve të tyre. Këtë e bëri, pas kërkesës së
Por, edhe pas shtyrjes së zgjedhjeve, nuk u hoqën barrikadat që bllokojnë rrugët për në dy pikat kufitare në veri të vendit, të vendosura me pretekstin e pakënaqësisë së shpalljes së zgjedhjeve.
Përveç Gjermanisë, edhe Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar kanë dalë me deklarata ku akuzojnë Serbinë për tensionim të situatës në veri të Kosovës.