Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka deklaruar pas publikimit të rezultateve preliminare për zgjedhjet lokale. Ai ka thënë se ia ka uruar fitoren kandidatit tër PDK-së, Bedri Hamza, dhe se punët do të jenë të përgatitura kur ky i fundit të shkon në komunë.
Bahtiri theksoi se në garë “dikush fiton dhe dikush tjetër humb dhe kjo vendoset nga populli”.
“Falënderoj qytetarët që për dy herë radhazi më kanë dhënë besimin mua për të udhëhequr Mitrovicën. Gjithashtu, falënderoj shumë të gjithë qytetarët që edhe kësaj radhe besuan në mua duke më votuar. Mbrëmë kam telefonuar kundërkandidatin Bedri Hamza, të cilit i urova fitore. Në këtë bisedë të shkurtër, e sigurova që të gjitha punët do të jenë të përgatitura për t’ia përcjellë kur të vjen procesi i pranim-dorëzimit dhe kërkova që projektet e filluara mos të ndërpriten. Do të jem gjithmonë në shërbim të Mitrovicës”, ka shkruar ai në Facebook.