Kryetari i komunës së Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, ka njoftuar se pesë rastet e reja me koronavirus nga kjo komunë janë familjarë me rastin e parë, shkruan IndeksOnline.
Ai bëri të ditur se sot janë testuar 49 persona nga Mitrovica dhe vetëm 5 kanë rezultuar pozitiv.
Sipas Bahtirit gjendja e tyre shëndetësore është stabile, shkruan IndeksOnline.
Njoftimi:
Sot, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK janë testuar 49 mostra të marra nga personat që kanë pasur kontakt me të rezultuaren të infektuar nga Mitrovica para dy ditësh, ku 5 raste kanë dalë pozitiv me koronavirusin COVID-19.
Personat e infektuar janë familjarë të infektuares së parë, të cilët gjenden me vendbanim në fshatin Rekë. Të gjithë të infektuarit kanë gjendje stabile shëndetësore dhe janë në vet-izolim, ku pas 14 ditësh do të testohen prapë.
Duke pasur parasysh se nga nesër komunës veriore të Mitrovicës do t’i heqet masa e karantinës, atëherë i lus gjithë qytetarët që të jenë edhe më të kujdesshëm në marrjen e masave për mbrojte nga COVID-19.
Rruga e vetme për mbrojtje nga ky virus është zbatimi strikt i udhëzimeve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.
Të dashur qytetarë, me ndihmën e juaj do t’ia dalim edhe kësaj radhe.