Një kompani ndërtimore në Gjilan ka nisur punën qysh në orën 05:00 të mëngjesit, sot.
Ndonëse, Ligji për Rend dhe Qetësi Publike e ndalon zhurmën deri në orën 07:00, kjo kompani ka vazhduar punën, pa u penguar nga askush, pavarësisht ankesave të banorëve përreth, shkruan Gazeta Sinjali.
Mirëpo, duket se kjo kompanie nuk është e vetmja që nuk është në dijeni për ekzistencën e këtij ligji.
Një banor që jeton aty afër dhe që është bezdisur nga kjo zhurmë ka shkruar në adresë të Sinjalit, për të ankuar, pasi që thotë se Policia nuk janë të njoftuar me këtë ligj.
Sipas tij, kur ka telefonuar Policinë, në orën 05:09, personi që i është përgjigjur në telefon i ka thënë se nuk ka çfarë t’i bëjë, “sepse nuk ka ligj që e ndalon punën gjatë fundjavave.”
Madje, ai thotë se nuk ka pasur mundësi të bëjë ankesë për Policinë, në faqen e këtij institucioni, lidhur me këtë rast.
“Në orën 05:09 i kom thirrë Policinë, edhe tha nuk ka ligj që e ndalon punën vikendeve. E ai zotëria, poget s’koka kanë i njoftum me këtë ligj. Tash unë se disha a është polic a gjykatës. Edhe kur mora me shkru në faqen e policisë, nuk punon faqja. S’mun me dërgu ankesë”, tha ai.
Sipas Ligjit për Rend dhe Qetësi Publike, “kushdo që shkakton zhurmë të panevojshme dhe të padurueshme që dëgjohet të banorët përreth apo në rrugë dhe që shqetësojnë personat tjerë nga ora 22:00 e deri në orën 07:00 gjatë ditëve të javës dhe prej orës 23:00 e deri ne orën 07:00 të shtunave dhe të dielave, dënohet për kundërvajtje”.
“Nëse kundërvajtjet nga paragrafët 1 të këtij neni janë kryer nga personi fizik, ai /ajo dënohet me gjobë prej tridhjetë (30) deri pesëqind (500) Euro. 3.”
“Nëse kundërvajtjet e parapara në paragrafin 1 të këtij neni janë kryer nga pronari ose personi përgjegjës i një subjekti juridik, ai/ajo dënohet me gjobë prej njëqindepesëdhjetë (150) deri shtatëqind (700) Euro.”