Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i ftuar në emisionin Open në Top Channel këtë të enjte rrëfeu se Sali Berisha i ka thënë se nuk vë asnjë para vetes së tij, as partinë dhe as demokratët, ndryshe nga deklaratat e liderit historik të PD-së.
“Kam vendosur të mos pështyj në 16 vite bashkëpunim me Berishën. Unë i kam qëndruar atyre që kam thënë, por Berisha jo. Mund të kishte një sërë rezultatesh, mund të kishte skenare, i pari një parti gjysmë për gjysmë, do kishte një përçarje e cila do të kërcënonte partinë, largimin me vulë të Berishës. Largimin e një kryetari aktul, çfarë do të zgjidhte kjo? Nuk ka person tjetër që ka kultivuar marrëdhëniet me aleatët që të arrinte në ultimatum si një zgjidhje deri në plotësimin e vendimit të gjykatës. Më ka thënë në sy që përpara vetes nuk vendos as PD dhe as demokratët dhe I kam thënë në sy që do marr vendimet e mia si kryetar i PD. Përgjigja e tij ka qenë se ti merr vendimet e tuaja unë marr vendimet e mia”, tha Basha.
Basha gjithashtu u shpreh se vendimi për të përjashtuar Sali Berishën nga Grupi Parlamentar i PD-së erdhi pas kërkesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ai shprehet se ka tejkaluar interesat personale, për të mirën e Partisë Demokratike.
“SHBA ka kërkuar përjashtimin nga kuvendimi, përjashtimin nga partia. Vendimi i marrë në 9 shtator, u bë me qëllim që të shmangte koston ndaj demokratëve dhe Partisë Demokratike. Partia Demokratike kishte vendosur një standard dhe me ‘non grata-t’ e tjera. Falë investimit politik dhe personal të kryetarit, u arrit në një vendim të tillë deri në përfundimin e hetimeve, duke bërë realitet premtimin e Berishës që nuk do ta përfshijë PD në një nivel të tillë”.
Ai lë të nënkuptohet se nëse nuk do të përjashtonte Berishën, pasojat për partinë më të madhe opozitare do të ishin të rënda, duke shtuar se edhe Berisha e ka të qartë ç’do të thotë pasojë për një parti në raste të tilla.
Vendimin e sheh si më të mirin e mundshëm për ish-liderin demokrat, pasi në këtë mënyrë Berisha nuk u largua nga kuvendi: “Falë investimit tim politik dhe personal, në përmasa që nuk do t’i bëja për veten time, një distancim i Berishës nga PD u kthye në një pezullim”.
Basha këmbëngul se nuk ka ndërmend të diskutojë vendimin e Departamentit Amerikan të Shtetit, që e shpalli Sali Berishën dhe familjen e tij ‘non grata’, pasi është përfshirë në korrupsion të nivelit të lartë.
Kujtojmë se Lulzim Basha dhe Sali Berisha i kanë shpallur luftë njëri-tjetrit, pasi ky i fundit u përjashtua nga Grupi Parlamentar i PD-së, pasi ishte shpallur ‘non grata’ nga SHBA-ja.
Pas këtij vendimi, Berisha vijon luftën politike me anë të foltoreve të mbajtura me mbështetësit e tij në qytetet e vendit.
Berisha e akuzon Bashën se është marrë peng nga Rama dhe po bashkëpunojnë, gjë që është hedhur poshtë nga kryedemokrati.
Kujtojmë se me datë 10 nëntor, ish-kryeministri Sali Berisha dhe mbështetësit e tij dorëzuan firmat e mbledhura në selinë e PD-së, me qëllim mbledhjen e një Kuvendi Kombëtar më datë 11 dhjetor.
Ndërkohë ka pasur thirrje për dy Kuvende me data të ndryshme.
Më 15 nëntor, kryetari i PD-së në Shqipëri, Lulzim Basha në fjalën e tij gjatë takimit me anëtarët e Kryesisë së PD-së, ka theksuar se “11 dhjetorin nuk mund ta shndërrojë dot Sali Berisha, nga dita e lirisë, dita e demokratëve, dita e demokracisë, në ditën e bunkerizimit të PD-së, në ditën e izolimit të PD-së”.
Kreu i demokratëve ka zyrtarizuar datën 18 dhjetor për mbajtjen e Kuvendit Kombëtar, e cila është kundërshtuar me forcë nga ish-kryeministri Berisha dhe mbështetësit e tij.
Lulzim Basha nuk e njeh Kuvendin e shpallur nga paraardhësi i tij dhe ka kërcënuar me përjashtuam këdo që shkel interesat politike dhe elektorale te partisë, duke nisur me Sali Berishën.