Koalicioni opozitar “Aleanca për Shqipërinë Madhështore”, i përbërë nga Partia Demokratike dhe aleatët, çeli zyrtarisht fushatën zgjedhore nga sheshi “Nënë Tereza” në Tiranë, për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Kreu i PD-së, Sali Berisha, u shfaq për herë të parë në publik pas një kohe, krah strategut amerikan Chris LaCivita.
“Sonte nisim betejën e fitores, betejën e Shqipërisë Madhështore, në të cilën Shqipëria ngrihet përsëri”, deklaroi Berisha në fjalimin hapës. “Këto 12 vite ishin vite të shkretimit, të varfërimit, të largimit të mbi 1 milionë shqiptarëve nga vendi”, shtoi ai.
Duke e cilësuar qeverinë aktuale si “regjim”, Berisha akuzoi se “regjimi i Tiranës dhe mafia ndërkombëtare kanë fshirë arritjet madhore të Shqipërisë pluraliste”. Ai përmendi edhe pensionistët, të sëmurët dhe familjet shqiptare si më të prekurat nga politikat e qeverisë: “700 mijë pensionistë qajnë pothuajse çdo ditë me lot të ftohtë mjerimi… mijëra të sëmurë nuk marrin ilaçet dhe mbështeten në mëshirën e sëmundjes.”
Strategu amerikan i fushatës së PD-së, Chris LaCivita, dha një mesazh nga podiumi:“Në 2024 në SHBA, socialistët u përpoqën të burgosin Donald Trump, dështuan. Në 2025 në Shqipëri, po përpiqen të burgosin opozitën, dhe do të dështojnë. Pse? Sepse nuk kanë çfarë të thonë për dështimet e 12 viteve.”
Ai shtoi: “Votoni për dr. Berishën, jepini vendit tuaj mundësinë dhe jepini njerëzve shpresë.”
Në fushatë u prezantuan kandidatët për 12 qarqet e vendit. Anëtari i FRPDSH-së, Orest Berberi, deklaroi: “Partia Demokratike është zemra e shqiptarëve të lirë… Ne jemi njishat. Do të rrëzojmë çdo hienë.”
Fermeri nga Lushnja, Komi Furrxhi, u shpreh: “Unë kërkoj që shteti të më trajtojë si investitor… Sali Berisha po e tha fjalën, e mban. Nafta pa taksa, subvencione për çdo fermer, ndihmë për të shitur prodhimet – këto nuk janë luks.”
Artjola Tabaku, një qytetare e re, solli shqetësimin për çmimet e apartamenteve:“Çmimi i një apartamenti modest u dyfishua në vetëm 5 vite! Apartamente ka më shumë se kurrë, por popullatë më pak se kurrë.”
Ndërsa mësuesja Alketa Lugaj denoncoi politizimin në sistemin arsimor:“Drejtuesit e shkollave janë kthyer në komisarë politikë… Programi i PD mishëron idealet e një arsimi modern dhe të drejtë. Paga mesatare e mësuesit do jetë 1300 euro, e pedagogut 2000 euro.”
Berisha e mbylli fjalën me referenca historike ndaj arritjeve të qeverive të PD-së:“Ne e futëm Shqipërinë në NATO, liberalizuam vizat, ndërtuam Rrugën e Kombit dhe realizuam TAP-in e Kaskadën e Devollit. Këtë herë, projekti është më i madh: Shqipëria Madhështore.”
Në hyrje të bulevardit që çon drejt podiumit ishin vendosur 11-të shifra “1”, që simbolizojnë numrin e koalicionit në fletën e votimit. Flamuj shqiptarë, amerikanë dhe të BE-së valëviteshin në duart e simpatizantëve që brohorisnin për Berishën.
Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviç, të premten është shoqëruar në Policinë e Kosovës,…
Një pamje gjithnjë e më e zakonshme në ujërat e Gjirit të Orikumit është shfaqja…
Kryeministri britanik Sir Keir Starmer ka akuzuar miliarderin e teknologjisë Elon Musk se po përpiqet…
Ish deputeti i PD, Edmond Spaho ka reaguar ashpër për protestën kundër investimit në Zvërnec,…
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka konfirmuar se do të marrë pjesë në samitin BE–Ballkani Perëndimor…
Katy Perry do të jetë njëra prej këngëtareve kryesore që do të përformojë në Festivalin…