Deklarata e ministrit të Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandar Vulin, se Ushtria e Serbisë duhet të ruajë serbët kudo ku jetojnë në vendet e rajonit, ka sjellë reagime të shumta në rajon.
Aleksandar Vulin tha se detyra e gjeneratës aktuale të politikanëve në Serbi është që “të krijojnë botën serbe dhe të bashkojnë serbët kudo që jetojnë ata”.
Nga zyra e presidentit të Kosovës, kanë theksuar se “diskursi kërcënues me “bashkimin e serbëve”, është tregues se Serbia nuk po arrin as sot e kësaj dite të shkëputet nga politika gjenocidale e regjimit të Milosheviqit.
Ministrja e Punëve të Jashtme të Bosnjës dhe Hercegovinës, Bisera Turkoviç, tha se ajo priste që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, të distancohej menjëherë nga deklaratat e ministrit Vulin, për bashkimin e “Botës serbe”.
Në qoftë se Vuçiç nuk e bën këtë, Turkoviç beson që kjo vetëm do të konfirmojë se politika zyrtare e tij dhe e Serbisë është përmbysja e Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit dhe që synon të bashkojë me Serbisë pjesë të Bosnjë dhe Hercegovinës.
Deklarata të tilla, Vulin i ka bërë në shënimin e 13-vjetorit të subjektit politik që ai drejton, Lëvizjes Socialiste, në të cilën ceremoni ishte i pranishëm edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, si kryetar i Partisë Përparimtare serbe. Vuçiç jo vetëm nuk është distancuar nga deklarata te tilla, por e ka konsideruar atë si bashkëluftëtar për Serbinë e fortë, moderne dhe të lirë”.