Ish-drejtori i Klan Kosovës, Baton Haxhiu, ka thënë se me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin, kishte prishur marrëdhëniet para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017.
Haxhiu, në emisionin Pressing të T7 ka deklaruar se fundi i raporteve të tij me Kurtin dhe Lëvizjen Vetëvendosje kishte ardhur pasi “Kurti e përdori studion [e Klan Kosovës] për të sharë media”.
“Pasi është kry emisioni, ia kam thënë një fjali, e cila ka qenë fjali jo bash e lehtë për atëherë”, ka thënë Haxhiu. “Aty ka qenë fundi i një marrëveshjeje me Vetëvendosjen”.
Publicisti Haxhiu ka thënë se ai i kishte bërë ftesë zyrtarëve të Vetëvendosjes për të qenë pjesë e debateve në fushatën zgjedhore të vitit të kaluar, por të njëjtit kishin refuzuar të shkonin në Klan Kosova.
“Ata kanë qenë të ftuar, por ata kanë pasur qëndrim politik kundër meje; nuk kanë pasur qëndrim politik kundër Klan Kosovës, e as kundër devollëve”, ka deklaruar ai.