Në mbledhjen e sotme të 100-ditëshit të Qeverisë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka akuzuar rëndë LDK-në se po ia merr pushtetin, por ka thënë se ministrat e LDK-së kanë punuar mirë. E për këto deklarata të Kurtit kanë reaguar ministrat që vijnë nga radhët e LDK’së
Ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa, tha se ministrat e LDK’së nuk kanë bërë politikë, por kanë dhënë maksimumin në ministritë që i udhëheqin.
“Duke ju falënderuar për bashkëpunimin, dua të theksoj se ne anëtarët e kabinetit qeveritar që vijmë nga radhët e LDK-së, gjatë kësaj kohe nuk kemi bërë politikë, por kemi dhënë maksimumin tonë në ministritë që i udhëheqim. Si pasardhës i njërit nga tre themeluesit e LDK-së, unë jam krenar që jam në LDK dhe i tillë do të mbetem” u shpreh Mustafa.
Ndaj deklaratave të Kurtit kundër LDK’së kanë reaguar edhe ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit në detyrë, Lumir Abdixhiku dhe ajo e Arsimit, Hykmete Bajrami.
Abdixhiku i ka thënë se është ndier i ofenduar nga fjalimi i tij, sepse thotë se e përfaqësojnë LDK-në me krenari dhe çdo fyerje ndaj partisë së tyre është edhe ndaj ministrave.
“Më lejoni të ju falëndëroj juve kryeministër për mbështetjen që e keni dhënë ju dhe kabinetin dhe gjithë anëtarët e Qeverisë, besoj se kemi punuar mbarë e mirë. Më lejoni të theksoj se gjysma e këtij kabineti paraqet një kulturë dhe një forcë politike. Dhe, e përfaqëson me krenari, përfaqëson LDK-në. Prandaj çdo lëvdatë ndaj punës tonë është lëvdatë ndaj LDK-së dhe çdo kritikë ndaj LDK-së është kritikë ndaj neve. Çdo fyerje ndaj LDK-së është fyerje ndaj nesh. Ndihem i ofenduar prej pjesës së fjalimit që e ofendon LDK-në. Ne nuk u bëmë pjesë e këtij debati, sepse përderisa përfaqësojmë Qeverinë, e përfaqësojmë çdo qytetar të Kosovës dhe ndoshta kjo është pjesë e kulturës tonë”, ka thënë Abdixhiku.
Ministrja në detyrë e Arsimit, Hykmete Bajrami i ka reaguar kryeministrit në detyrë Albin Kurti që sot në mbledhje të qeverisë ku do të raportohet për 100 ditshin e ka quajtur LDK’në parti të regjimit të vjetër që ka bashkëpunuar me presidentin për të ardhur në pushtet, raporton Gazeta Express.
Bajrami ka deklaruar se pas mocionit kanë kërkuar nga LDK’ja që t’i lirojnë pozitat e ministrave, mirëpo, tha se një gjë e tillë nuk iu është lejuar nga kreu i partisë, Isa Mustafa.
“Për ne si ministra të LDK’së kjo periudhë sidomos pas mocionit ka qenë jashtëzakonisht e vështirë para së gjithash ju e dini që të gjithë se ne të gjithë si ministra kemi kërkuar nga partia që të lirojmë pozitat mirëpo na u është kërkuar nga kryetari i partisë që në kohë të pandemisë të vazhdojmë punën dhe të mos bëjmë politikë”, ka thënë ajo.
Bajrami ka shtuar se nuk mund të konsiderohen të suksesshëm dhe në të njëjtën kohë anëtarë të partisë së regjimit të vjetër.
“Andaj i nderuar kryeministër kërkoj mirëkuptimin tuaj sepse gjatë kësaj kohe jemi munduar që të japim maksimumin. Nuk mendoj se mund të konsiderohemi të suksesshëm nëse sipas jush i takojmë regjimit e një partie politike që qenka në mbrojte të së keqes e korrupsionit, na lejoni që të vazhdojmë punën siç e kemi bërë dhe të punojmë sipas ligjit, ashtu si kemi bërë nga dita e parë”, ka deklaruar ajo.