Fjalimi i parë i Gordana Siljanovska-Davkovës si presidente e Maqedonisë së Veriut solli krisje me Greqinë. Pasi ajo iu referuar vendit të saj si Republika e Maqedonisë duke shmangur fjalën “e veriut”, ka sjellë reagimin e Athinës zyrtare. Mëngjesin e kësaj të hëne ka reaguar edhe kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis. Në një postim në rrjetet sociale, ai tha se Presidentja e re e Maqedonisë së Veriut zgjodhi të provokojë duke shkelur tekstin zyrtar të betimit dhe duke e quajtur vendin e saj me një emër tjetër, gjë që sipas Mitsotakisht është “e paligjshme dhe e papranueshme”.
“Zgjedhja provokuese e Presidentes së re të Maqedonisë së Veriut për të shkelur tekstin zyrtar të betimit dhe për ta quajtur vendin e saj me një emër tjetër është një nismë e paligjshme dhe e papranueshme. Një akt që shkel Marrëveshjen e Prespës dhe Kushtetutën e vetë shtetit të saj. Duke minuar sidoqoftë të ardhmen e vendit gjithashtu, siç kanë deklaruar edhe Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen dhe Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel”, tha ai.
Greqia nuk do t’i pranojë deklarata të tilla dhe thekson se çdo përparim në marrëdhëniet dypalëshe, por edhe çdo hap i Shkupit drejt Europës, do të varet nga respektimi “i sinqertë i asaj që është rënë dakord”.
“Nga përdorimi i drejtë i emrit kushtetues nga shteti fqinj dhe sigurisht nga shmangia e sfidave të tilla”, tha Mitsotakis duke i bërë thirrje Davkovës që t’i kthehet detyrave ligjore dhe sjelljeve të rolit që ajo ka marrë tashmë.
Mediat greke i kanë bërë jehonë edhe reagimit të BDI-së, e cila tha se përveçse Davkova dhunoi Kushtetutën krijoi një krizë në marrëdhëniet ndërkombëtare të vendit.
“Presidentja foli për unitet, por gjatë fjalimit të saj, përpos që e ngriti në qiell, Kryetarin e partisë së saj, po ashtu përmendi në një rast edhe Kryetarin e një partie tjetër, duke përmendur vetëm dy liderë në bllokun politik maqedonas dhe duke i përjashtuar kështu nga thirrja për unitet gjithë të tjerët. Përveç që ishte fjalim për 8 Mars nuk pati asgjë substanciale, nuk u përmend asgjë sa i përket NATO-s, BE-së, procesit eurointegrues. Nuk u përmend asgjë sa i përket marrëdhënieve të mira ndëretnike. Nuk u përmend fare Marrëveshja e Ohrit, Marrëveshja e Prespës, Traktati i Miqësisë me Bullgarinë”, tha Arbër Ademi.
Fjalimi i presidentes së re të RMV-së nuk u prit mirë as nga Bashkimi Europian.
“BE rikujton rëndësinë e respektimit të plotë të marrëveshjeve ekzistuese, ligjërisht të detyrueshme, përfshirë Marrëveshjen e Prespës me Greqinë,” tha zëdhënësi Peter Stano.
Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, në një postim në rrjetin X (Twitter) tha se “që Maqedonia e Veriut të vazhdojë rrugën e saj të suksesshme drejt anëtarësimit në BE, është më e rëndësishme që vendi të vazhdojë në rrugën e reformave dhe respektimin e plotë të marrëveshjeve të tij detyruese, përfshirë edhe Marrëveshjen e Prespës”.
Presidenti i Këshillit të Europës, Charles Michel është shprehur i zhgënjyer me presidentin e re të Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova pasi nuk respektoi emrin kushtetues të shtetit.
“Shumë zhgënjyese që presidentja e re e Maqedonisë së Veriut nuk përdori emrin kushtetues të vendit gjatë ceremonisë së sotme të betimit. BE rikujton rëndësinë e zbatimit të vazhdueshëm të marrëveshjeve ligjërisht të detyrueshme, përfshirë marrëveshjen e Prespës me Greqinë”, tha ai.
Gordana Silianovska-Davkova u bë të dielën gruaja e parë presidente e Maqedonisë së Veriut pasi fitoi zgjedhjet presidenciale më 8 Maj. Ajo u betua se “do të mbrojë sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë e Republikës së Maqedonisë” duke e shmangur emrin kushtetues të vendit, Maqedonia e Veriut. Këtë e kishte paralajmëruar edhe gjatë fushatës së saj.
Në vitin 2018 u arrit një marrëveshje në Prespë me Greqinë për ndryshimin e emrit nga Maqedoni në Maqedonia e Veriut, duke i dhënë fund mosmarrëveshjeve shumëvjeçare dhe duke i hapur rrugën përpjekjeve të vendit për integrim në BE dhe NATO.
Ambasadorja e Greqisë në Shkup, Sofia Filipidou, e braktisi ceremoninë e betimit të presidentes në shenjë proteste pse Davkova e përmendi emrin e vjetër “Republika e Maqedonisë” gjatë procesit, sipas deputetit të VMRO DPMNE-së, Antonio Milloshoski.
Presidenti në Maqedoninë e Veriut ka kompetenca të kufizuara.
Presidenti është komandant i përgjithshëm i Forcave të Armatosura të vendit. Ai dekreton mandatarin për formimin e Qeverisë së re, emëron dhe shkarkon me dekret ambasadorët, pranon letra kredencialet dhe letrat e revokimit të përfaqësuesve të huaj diplomatikë.
Roli i presidentit është edhe të propozojë dy gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese si dhe dy anëtarë të Këshillit Gjyqësor, të propozojë guvernatorin e Bankës Popullore, të caktojë disa drejtues në postet e sigurisë.
Presidenti, gjithashtu, ka të drejtën e faljes në përputhje me dispozitat ligjor si dhe kryen funksione të tjera të përcaktuara me Kushtetutën maqedonase.
Ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka deklaruar se administrata e presidentit Donald Trump ka…
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar në një intervistë për Euronews se protestat kundër projektit të…
Gjashtë shtetas shqiptarë të shpallur në kërkim ndërkombëtar janë ekstraduar nga Emiratet e Bashkuara Arabe…
Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviç, të premten është shoqëruar në Policinë e Kosovës,…
Një pamje gjithnjë e më e zakonshme në ujërat e Gjirit të Orikumit është shfaqja…
Kryeministri britanik Sir Keir Starmer ka akuzuar miliarderin e teknologjisë Elon Musk se po përpiqet…