Kryeministri Edi Rama ka deklaruar në një intervistë për Euronews se protestat kundër projektit të planifikuar në Zvërnec janë pjesë e një “lufte hibride” që, sipas tij, po zhvillohet ndaj Shqipërisë dhe po instrumentalizon shqetësimet mjedisore të qytetarëve.
Duke folur për projektin me vlerë rreth 4 miliardë eurosh, i cili pritet të zhvillohet në një zonë të ndjeshme ekologjike të njohur për praninë e flamengove dhe breshkave të detit, Rama u shpreh se debati publik rreth tij është tejkaluar nga një narrativë e organizuar me prapavijë më të gjerë politike.
Sipas kryeministrit, protestat nuk përbëjnë thelbin e çështjes, por janë “pjesë e një mekanizmi më të gjerë ndikimi”, që shfrytëzon ndjeshmëritë e qytetarëve për çështjet mjedisore.
“Shqipëria është në një luftë hibride. Ne po sulmohemi. E kam parë përmes mediave ose përmes leximeve që ndodhte në vende të tjera, por tani po e shoh në vendin tim”, deklaroi Rama.
I pyetur nga Euronews se nga kush po vjen ky ndikim, ai u përgjigj se bëhet fjalë për “forca të ndryshme” që, sipas tij, kanë nisur këtë proces që në momentet e para të debatit publik për projektin.
Rama shtoi se situata po “armatizohet në shkallë të gjerë”, duke u përdorur nga “armiq të Shqipërisë dhe të Izraelit”, dhe iu referua gjithashtu ekzistencës së një narrative që lidh projektin me pretendime për një marrëveshje të fshehtë që përfshin kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe Jared Kushner, me qëllim zhvendosjen e palestinezëve në territorin shqiptar.
“Ka një fantazi të plotë që flet për një marrëveshje të fshehtë… gjë që është krejtësisht e pavërtetë”, u shpreh ai.
Më herët, Rama akuzoi regjimin iranian se po ushqen një fushatë dezinformimi lidhur me projektin e diskutuar për Zvërnecin, duke e lidhur debatin me atë që ai e cilësoi si një luftë hibride kundër Shqipërisë.
Duke folur në Samitin BE-Ballkani Perëndimor në Tivat të Malit të Zi, Rama deklaroi se nuk ekziston ende asnjë projekt i miratuar për zonën dhe se shumë nga pretendimet që qarkullojnë në rrjetet sociale nuk kanë asnjë bazë reale.
“Sa i përket protestave për resortin, nuk ka kërkesa për t’u diskutuar sepse ende nuk ekziston një projekt i miratuar. Fillimisht duhet të kemi projektin, pastaj ta shohim dhe më pas ta diskutojmë. Nuk mund të diskutojmë për diçka që nuk ekziston, por që po paraqitet në rrjetet sociale përmes një lufte hibride kundër Shqipërisë dhe narrativave të rreme”, tha Rama.
Sipas tij, një nga pretendimet që është përhapur më shumë lidhet me teorinë se projekti nuk është një investim turistik, por pjesë e një marrëveshjeje për të sjellë palestinezë në Shqipëri.
“Një prej tyre pretendon se projekti nuk është ai që thuhet, por një marrëveshje mes meje dhe Benjamin Netanyahut, e ndërmjetësuar nga Jared Kushner, për të sjellë palestinezët në Zvërnec”, u shpreh kryeministri.
Rama tha se pas një pjese të kësaj narrative qëndrojnë aktorë të huaj, duke përmendur në mënyrë të drejtpërdrejtë Iranin.
“Ky nuk është vetëm një debat mjedisor. Është edhe çështje e një lufte hibride. Ka armiq të Shqipërisë që i njohim mirë. Regjimi iranian, i përfshirë prej kohësh në sulme kibernetike kundër vendit tonë, është pjesë e përpjekjeve për të përhapur narrativën se projekti synon sjelljen e palestinezëve nga Gaza në Shqipëri”, deklaroi ai.
Kryeministri shtoi se në rrjetet sociale janë shpërndarë materiale që, sipas tij, janë të manipuluara.
“Kjo narrativë ka marrë shumë vëmendje. Janë shpërndarë video të rreme me qindra mijëra shikime, ku pretendohet se shqiptarët brohorasin ‘Israel go home’. Këto janë të gjitha të rreme. Nuk ka asgjë të tillë në Shqipërinë reale”, tha Rama.
Megjithatë, ai pranoi se ka qytetarë që kanë shqetësime të sinqerta për ndikimin e mundshëm në mjedis, duke u bërë thirrje të presin paraqitjen e projektit.
“Ka njerëz që shqetësohen me të drejtë. Atyre u them të mos shqetësohen, sepse projekti ende nuk ekziston. Ne kemi vendosur standardet që duhet të përmbushë projekti dhe tani po presim që ai të paraqitet”, deklaroi kryeministri.
Rama shtoi se në nismë janë përfshirë arkitektë, inxhinierë dhe peizazhistë të njohur ndërkombëtarisht dhe se qëllimi është krijimi i një projekti që respekton natyrën dhe promovon zhvillimin.
“Qëllimi nuk është dëmtimi i natyrës, por krijimi i diçkaje unike, që do të jetë e jashtëzakonshme për shqiptarët dhe një dhuratë e Shqipërisë për Evropën”, përfundoi ai.
Elon Musk u bë të premten trilioneri i parë në botë, pasi aksionet në kompaninë…
Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se, në një skenar përballjeje me Iranin, preferenca e…
Pikërisht në ditën kur para 27 vjetësh NATO kishte hyrë në Kosovë duke nisur misionin…
Numërimi i votave të diasporës ka sjellë ndryshime në projektimin e ndarjes së mandateve në…
Çmimet e naftës shënuan rënie pas njoftimit të presidentit amerikan, Donald Trump, se ai i…
Mbrëmjen e sotme Shtetet e Bashkuara do të godasin shumë rëndë Iranin. Është paralajmërimi që…