Biden del në krah të Tajvanit: Do ta mbrojmë nga Kina

“Shtetet e Bashkuara do ta mbrojnë Tajvanin nga çdo sulm i mundshëm nga Kina”. Kjo është deklarata e presidentit Joe Biden gjatë një interviste të dhënë në CNN.

“Kemi një angazhim për këtë çështje. Shtetet e Bashkuara kanë dhënë një premtim përsa i përket mbrojtjes së aleatëve të NATO-s në Kanada dhe Europë dhe kjo gjë vlen dhe për Japoninë, Korenë e Jugut dhe Tajvanin”, shtoi kreu i Shtëpisë së Bardhë.

Në fillim të tetorit, Kina dërgoi 38 avionë lufte pranë dhe brenda hapësirës ajrore të Tajvanit. Ky ishte numri më i lartë ndonjëherë i avionëve kinezë që shkelën Zonën e Identifikimit të Mbrojtjes Ajrore, në një ditë të vetme.

Autoritetet e ishullit u kundërpërgjigjën duke nxjerrë në fluturim avionët luftarakë dhe aktivizuar sistemet raketore. Kina e konsideron Tajvanin një provincë të saj, por Tajvani e sheh veten si shtet Sovran. Këto pretendime kanë bërë që të ketë tensione të larta mes palëve.