Presidenti amerikan, Joe Biden, përmes një letre dërguar kreut të shtetit shqiptar, Bajram Begaj, ka uruar popullin shqiptar me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë.
Kështu ka bërë me dije presidenti Begaj, përmes një komunikate për shtyp.
Vetë Biden, e quan Shqipërinë një shtet lider humanitar, duke siguruar strehimin e përkohshëm të afganëve dhe grupeve të tjera vulnerabël, referuar rastit të afganëve, që gjetën strehë në vend pas marrjes së pushtetit nga talebanët në Kabul.
“Një partneritet që ka çuar përpara prosperitetin dypalësh, ka ndihmuar në ruajtjen e stabilitetit rajonal dhe ka forcuar sigurinë globale”, vijon më tej Biden.
Qenia e të dy vendeve në aleancën aq të rëndësishme të NATO-s, ka qenë po ashtu pjesë e letrës së Biden, duke veçuar se dy vendet kanë bashkëpunuar gjithashtu për ta mbajtur Aleancën të fortë, të përgatitur dhe të vendosur.
“Dhe përballë luftës së padrejtë dhe të paprovokuar të Rusisë kundër Ukrainës, ne kemi punuar së bashku në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të mbështetur popullin ukrainas, duke e konsideruar Rusinë përgjegjëse për agresionin”, përsiat Biden.
Mbi rrugëtimin e mëtejshëm të Shqipërisë, mbështetja është e madhe nga ana e amerikanëve, për të përmbushur aderimin në Bashkimin Evropian.
Teksa, për shekullin e ardhshëm të marrëdhënieve diplomatike, Biden thekson se pret me padurim thellimin e partneritetit, duke përfshirë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, forcimin e sigurisë energjetike në të gjithë Evropën dhe forcimin e bashkëpunimit për sigurinë kibernetike.
Vetë presidenti Begaj, e ka uruar ndërkaq liderin botëror, duke përshkruar se partneriteti strategjik do të vijojë me vullnet të plotë, për vitet në vazhdim, në kuadër të forcimit të sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit të dy vendeve.